14 shtetas jordanezë humbën jetën gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite. Sipas mediave të huaja mësohet se pelegrinët humbën jetën si pasojë e temperaturave ekstremisht të larta.
Ministria e Jashtme e Jordanisë përmes një reagimi zyrtar njoftoi se 14 shtetasit e saj kishin vdekur “pasi pësuan goditje nga dielli për shkak të valës ekstreme të të nxehtit”. Ndërkohë, 17 persona të tjerë raportohen se janë të zhdukur.
Referuar deklaratave të zyrtarëve jordanezë bëhet me dije se kërkimet po vazhdojnë për gjetjen e personave të zhdukur. Në bashkëpunim me autoritetet saudite, qeveria e Jordanisë po merret me transportin dhe varrosjen e trupave të së ndjerëve.
Haxhi, një detyrim fetar për të gjithë myslimanët, është një prej grumbullimeve më masive në botë.
Është një nga pesë shtyllat e Islamit së bashku me pesë namazet ditore, agjërimin, bamirësinë dhe besimin në Zotin (Allahun) dhe në Muhamedin si profet. Sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarët sauditë mësohet se këtë vit po marrin pjesë mbi 1.8 milionë pelegrinë. Në të kaluarën është raportuar për katastrofa vdekjeprurëse, përfshirë ikjet e rrëmujshme dhe zjarret nëpër tenda, por këtë vit sfidë kryesore ka qenë i nxehti.
Temperaturat tejkaluan 46°C këtë javë, duke i bërë shumë nga ritualet që kryhen jashtë dhe në këmbë sfiduese veçanërisht për të moshuarit. Kreu i qendrës kombëtare të meteorologjisë saudite, Ayman Ghulam, paralajmëroi javën e kaluar se këtë vit do të ketë një rritje të temperaturave me 1.5 deri në 2 °C mbi normalen në Mekë dhe Medinë.