Udhëheqësi i rebelëve të njohur si Hayat Tahrir al-Sham ka bërë një deklaratë duke thënë se nuk ka vend për kthim prapa.
Për televizionin shtërore sirian, Abu Mohammed al-Jolani tha se e ardhmja është e tyre.
Rrëzimi i Bashar al-Assadit, vetëm një javë pas fillimit të ofensivës nga rebelët në Idlib, shënon një moment të papritur për Sirinë.
Assad, i cili erdhi në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, ishte një figurë e njohur për shtypjen brutale të protestave në vitin 2011, që çuan në një luftë civile me pasoja tragjike. Për më shumë se një dekadë, ai arriti të mbijetonte falë mbështetjes nga Rusia dhe Irani, duke përdorur forcën ajrore dhe milicitë, përfshirë Hezbollahun.
Megjithatë, këtë herë, aleatët e tij u larguan dhe trupat e Assadit nuk ishin në gjendje të ndalonin ofensivën e rebelëve, të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ata pushtuan Aleppon, Haman dhe Homsin, duke izoluar Damaskun dhe duke u afruar me kryeqytetin.
Po kush është Abu Mohammed al-Jolani:
Me përfundimin e pesë dekadave të sundimit të Partisë Baath në Siri, rebelët që udhëhoqën lëvizjen për të rrëzuar sundimin e Asadit kanë thënë se se Abu Mohammed al-Jolani është lideri i aleancës islamike që udhëhoqi një ofensivë dhe lejoi që përmbysja të ishte e mundur.
Jolani kryeson Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili i ka rrënjët në degën siriane të Al-Kaedës. Ai është një ekstremist që ka mbajtur një qëndrim më të moderuar për të arritur qëllimet e tij.
Të dielën, ndërsa rebelët hynë në Damask, ai urdhëroi të gjitha forcat ushtarake në kryeqytet që të mos u afroheshin institucioneve publike.
Në fillim të kësaj jave, ai kishte thënë se qëllimi i ofensivës së tij, që qytet pas qyteti të binte nga kontrolli i qeverisë, ishte përmbysja e Assadit.
Kur filloi Jolani të ndryshonte qasjen e tij?
Që nga ndërprerja e lidhjeve me Al-Kaedën në vitin 2016, Jolani është përpjekur ta portretizojë veten si një lider më i moderuar.
“Ai është një radikal pragmatik,” tha për AFP Thomas Pierret, një specialist në Islamin politik.
“Në vitin 2014, ai ishte në kulmin e radikalizmit të tij”, tha Pierret, duke iu referuar periudhës së luftës kur ai kërkoi të konkurronte me grupin xhihadist të Shtetit Islamik.