
Zyra e Prokurorit te Përgjithshëm në Belgjikë ka deklaruar se ka zhvilluar kontrolle në disa zyra të Parlamentit Europian, pasi ka dyshime për lidhje të brendshme ruse.
Duke u nisur nga njoftimi i publikuar, thuhet se kërkimet janë në vazhdën e një rasti të ndërhyrjes, korrupsionit pasiv dhe lidhjes me organizata kriminale, ku anëtarë të Parlametit Europian kanë marrë pagesa për të promovuar propagandën ruse nëpërmjet faqes së lajmeve.
“Kërkimet janë pjesë e një rasti të ndërhyrjes, korrupsionit pasiv dhe anëtarësimit në një organizatë kriminale dhe ka të bëjë me indikacionet e ndërhyrjes ruse, ku anëtarët e Parlamentit Europian janë afruar dhe paguar për ta promovuar propagandën ruse përmes ëeb-faqes së lajmeve, Zëri i Evropës”,- janë shprehur prokurorët.
Sipas prokurorëve, një rol të jashtëzakonshëm për ndërhyrje të celulave ruse në sistemin europian kanë luajtur pikërisht punonjësit në këtë seli, duke dhënë informacione të brendshme konfidenciale dhe nga ana tjetër duke mundësuar zërin e tyre propagandues në mediat europiane.
Kujtojmë se më herët, Bashkimi Europian njoftoi se gjatë këtij muaji ka ndaluar transmetimin e medias Zëri i Europës si dhe tri mediave të tjera ruse në vendet e Bllokut.
Në njoftimin e bërë më parë, BE-ja tha se këto media janë nën kontrollin e Kremlinit dhe po shënjestronin partitë politike evropiane, konkretisht gjatë periudhës zgjedhore për të ndikuar elektoratin evropian.
Kontrollet në këto zyra vijnë vetëm pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme për eurodeputet në Parlamentin Europian, që pritet të mbahen në datat 6 dhe 9 qershor.