Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po planifikon të reduktojë numrin e punonjësve civilë me 50,000 deri në 60,000 persona, një shkurtim prej rreth 8% të fuqisë punëtore.
Sipas mediave ndërkombëtare, një zyrtar i lartë i mbrojtjes ka deklaruar se kjo ulje nuk është drastike dhe nuk do të ndikojë në gatishmërinë ushtarake.
“Shifra duket e lartë, por duhet të fokusohemi te përqindja. Një ulje prej 5% deri 8% nuk është diçka dramatike. Kjo mund të bëhet pa ndikuar negativisht në gatishmërinë e forcave, duke siguruar që burimet tona janë të alokuara në mënyrën e duhur,” tha ai.
Shkurtimet pritet të realizohen përmes ngrirjes së punësimeve, largimit të punonjësve me më pak se një apo dy vjet shërbim, si dhe përmes një programi vullnetar dorëheqjeje me pagesë të plotë deri në fund të shtatorit.
Ky hap është pjesë e një ristrukturimi të gjerë të burimeve njerëzore brenda Pentagonit, me synimin për të optimizuar shpenzimet dhe për të përmirësuar menaxhimin e burimeve.