
Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua në Meksisë. Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës tha se rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakia 61-vjeçare fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.
Kjo i dha asaj një epërsi prej më shumë se 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez.
Sheinbaum do të zëvendësojë mentorin e saj, Presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor. Gjatë fjalës së saj, pas fitores, Sheinbaum tha se do të vazhdojë të punojë mbi “parimet” e Obrador.
Mbështetësit e saj festuan në Zócalo, sheshin kryesor të qytetit të Meksikos, duke valëvitur pankarta ku lexojnë "Claudia Sheinbaum, presidente". Përpara se të kandidonte për presidente, Sheinbaum ishte kryetare e qytetit të Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend dhe që shihet si hapja e rrugës për presidencën.

Gjyshërit hebrenj të nënës së saj emigruan në Meksikë nga Bullgaria duke ikur nga nazistët. Ajo pati një karrierë të shkëlqyer si shkencëtare përpara se të merrej me politikë. Ndërkohë, gjyshërit nga babai i ka me prejardhje nga Lituania.
Të dy prindërit e saj ishin shkencëtarë dhe Sheinbaum studioi fizikë përpara se të vazhdonte të merrte një doktoraturë në inxhinierinë e energjisë. Ajo kaloi vite në një laborator kërkimor të njohur në Kaliforni duke studiuar modelet meksikane të konsumit të energjisë dhe u bë eksperte për ndryshimet klimatike.
Në vitin 2018 ajo u bë kryetarja e parë femër e qytetit të Meksikos, një post që e mbajti deri në vitin 2023, kur u largua për të kandiduar për presidente.
