Politika e jashtme britanike do të ndryshojë. Do të ndiqet linja e Realizmit Progresiv, një vijë ideologjike e shpallur ditën e djeshme në fjalimin që sekretari i jashtëm britanik David Lammy mbajti për sfidat që do të ketë britania në vitin 2025.
“6 muaj pas marrjes së detyrës së sekretarit të jashtëm, ju kam mbledhur këtu, për të folur për të ardhmen” - tha ai, duke treguar se inspirimin e mori prej Ernest Bevin, një politikan laburist britanik i pasluftës së parë e të dytë botërore, plani i të cilit, qëndroi për 80 vite në politikën e jashtme britanike.
“E quaj qasjen tonë të re Realizëm Progresiv. Të marrim botën ashtu siç është, jo siç dëshirojmë të jetë. Të avancojmë synime progresive me mjete realiste.
Përmes një stuhie krizash, ne kemi filluar ta zbatojmë këtë në praktikë. Në Evropë, realizmi progresiv nënkupton të punojmë me fqinjët tanë evropianë, jo të grindemi dhe të izolohemi prej tyre.
Marrëveshje të reja për mbrojtjen dhe emigracionin me Gjermaninë, një Samit ambicioz Mbretëri e Bashkuar-Francë në proces, një epokë e re në marrëdhëniet me Irlandën, një dialog i ri i politikës së jashtme me Bashkimin Evropian dhe hapi i parë drejt një Pakti të Sigurisë MB-BE.
Me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë më të afërt, realizmi progresiv nënkupton forcimin e miqësisë me të dyja krahët e politikës atje.
T’u bashkohemi për të mbrojtur Izraelin nga sulmet iraniane, së bashku me Australinë, duke avancuar më tej partneritetin AUKUS dhe duke bërë një hap të madh përpara për kompanitë britanike të mbrojtjes falë ndryshimeve në ITAR.
Kundër Rusisë, realizmi progresiv nënkupton të mos lejojmë që shteti mafioz i Putinit të veprojë pa pasoja. Dhe t’i tregojmë botës vendosmërinë tonë për të mbështetur Kievin derisa ata të triumfojnë, duke garantuar 3 miliardë paund në vit ndihmë ushtarake për aq kohë sa duhet dhe duke çliruar fonde të reja të mbështetura nga asetet e ngrira ruse.
Si dhe të intensifikojmë veprimet me aleatët kundër dezinformimit të Kremlinit, duke e bërë misionin tim personal që të ndërpres të ardhurat e Rusisë përmes sanksioneve tona, duke vendosur më shumë sanksione se çdo vend tjetër ndaj Flotës së Hijeve të Rusisë dhe duke avancuar fushatën tonë kundër kleptokracisë.
Përballë konflikteve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, realizmi progresiv nënkupton të qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit dhe përkrah ligjit ndërkombëtar. Dyfishimi i ndihmës për Sudanin, ndihmimi i qindra britanikëve që të largohen nga Libani, rivendosja e financimit për UNRËA, mbështetja për gjykatat ndërkombëtare dhe marrja e vendimeve të vështira për licencat e eksportit.
Por gjithashtu të mos tërhiqemi nga mbrojtja e Izraelit kundër një regjimi iranian që synon ta shkatërrojë, ndërsa në të njëjtën kohë punojmë për një armëpushim në Gaza që të mund të çojmë ndihmat dhe të kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi, duke avancuar një zgjidhje me dy shtete.
Dhe kur bëhet fjalë për Kinën, realizmi progresiv nënkupton qëndrueshmëri, jo lëkundje. Siç e theksova gjatë vizitës sime në Pekin dhe siç po vazhdon këtë javë Rachel Reeves.
Angazhim pragmatik për të bashkëpunuar me Kinën kur mundemi, si në tregti, klimë, shëndetësi globale, rregullimin e AI. Por gjithashtu një dialog shumë i ashpër dhe sfidues kur ka kërcënime të qarta. Sanksionimi i kompanive kineze që furnizojnë teknologji për të mbështetur luftën e Putinit, punimi për lirimin e Jimmy Lai, kërkesa për t'i dhënë fund abuzimeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang, sulmeve kibernetike ndaj MB dhe sanksioneve ndaj parlamentarëve tanë.
Dhe në lidhje me krizën e klimës dhe natyrës, realizmi progresiv e sheh veprimin global si thelbësor për pavarësinë tonë energjetike dhe sigurinë kombëtare. Kemi nisur Aleancën Globale për Energji të Pastër, duke sjellë 12 vende në misionin e saj të parë për të përshpejtuar përhapjen e energjisë së pastër dhe për të nxitur punët dhe investimet e gjelbra brenda vendit.
Dhe me Jugun Global, realizmi progresiv nënkupton të punojmë së bashku – jo më leksione. Të tregojmë respekt. Të rinovojmë partneritetet dhe marrëveshje të reja, si ato që kam nisur me Indinë, Indonezinë, Afrikën e Jugut dhe Nigerinë", tha mes të tjerash sekretari britanik.