
Kamala Harris, zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po diskutohet si alternativa kryesore dhe më e mirë për të zëvendësuar Presidentin Joe Biden, nëse ai vendos që të tërhiqet nga gara presidenciale në zgjedhjet që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.
Sipas prestigjozes amerikane Reuters, duke u nisur nga burime të brendshme në Shtëpinë e Bardhë, diskutimet për këtë kanë nisur pas performancës së dobët të Biden në debatin e parë publik kundër rivalit të tij republikan, ish-Presidentit Donald Trump, në qershor të muajit të shkuar.
Paaftësia e Presidentit për të argumentuar në këtë debat shkaktoi një valë kritikash dhe paniku brenda partisë Demokratike, duke ngritur shqetësimin se ai mund të mos ishte mjaftueshëm i aftë për të shërbyer një mandat të dytë dhe nxiti thirrje për ndihmësit kryesorë që të japin dorëheqjen.
Disa demokratë me ndikim kanë paraqitur alternativa ndaj Bidenit përveç Harris, duke përfshirë anëtarët e njohur të kabinetit dhe guvernatorët demokratë si Gavin Newsom nga Kalifornia, Gretchen Whitmer nga Michigan dhe Josh Shapiro nga Pensilvania. Por përpjekja për të anashkaluar Harrisin është mendim i dëshiruar dhe do të ishte pothuajse e pamundur, thanë këto burime, të cilët nuk preferuan që t'u përmenden emrat.
Burimet shprehen se nëse 59 vjeçarja, Harris emërohet si kandidate e partisë, ajo do të merrte përsipër paratë e mbledhura nga fushata e Biden dhe do të trashëgonte infrastrukturën e fushatës. Ajo gjithashtu është gjithashtu më e njohur në publik midis të gjitha alternativave dhe ka sondazhin më të lartë midis demokratëve që mund të konsiderohen seriozisht kandidatë, janë shprehur burimet sipas Reuters.
Në një sondazh të Reuters/Ipsos të publikuar të martën , Harris pasoi Trump me një pikë diferencë në përqindje, ku ajo mori 42% ndërsa Trump me 43%, një ndryshim që ishte brenda kufirit të gabimit prej 3.5 pikë përqindjeje të sondazhit, një tregues statistikisht po aq i fortë sa ai i Bidenit.
Përveç kësaj, ajo tashmë është verifikuar për postin kombëtar dhe i ka mbijetuar një kontrolli intensiv nga republikanët, thanë ata. Gjithashtu, Përfaqësuesi i SHBA Jim Clyburn, njeriu që ishte kyç për fitoren e Bidenit në 2020, i tha MSNBC se do të mbështeste Harrisin që të ishte kandidati demokrat nëse Biden tërhiqej.
Sondazh