Izraeli po përfundon hapat e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me një rritje të transferimit të ndihmës në Gaza, tha të premten presidenti Joe Biden, një ditë pas bisedës së tij telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Kur u pyet nëse ai kërcënoi se do të ndërpresë ndihmën ushtarake për Izraelin gjatë asaj bisede, Joe Biden u përgjigj ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë: “Unë u kërkova atyre të bëjnë atë që po bëjnë tani”.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuar mirëpresin veprimet e Izraelit për të lejuar më shumë ndihmë në Gaza.
I pyetur për veprimin e Izraelit pas ndryshimit të qëndrimit të Biden, Blinken tha se Uashingtoni do të “shikojë nga afër” metrikat specifike si numri i kamionëve që hyjnë në Gaza.