Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Joe Biden për të falur djalin e tij, Hunter Biden, duke e quajtur këtë akt një "abuzim dhe dështim të drejtësisë".
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi: “A i përfshin falja e dhënë nga Joe për Hunterin pengjet J-6, të cilët tani janë burgosur prej vitesh? Një abuzim dhe dështim i tillë i drejtësisë!”
Joe Biden njoftoi se i kishte dhënë një falje të plotë dhe të pakushtëzuar Hunter Biden-it, i cili po përballej me akuza federale për shkelje të ligjeve të taksave dhe armëve. Ky vendim përfaqëson një hap të madh teksa Biden përgatitet të dorëzojë detyrën tek pasardhësi i tij, Donald Trump.
Falja, e cila nuk mund të anulohet nga presidenti i zgjedhur Trump, përfundon të gjitha çështjet ligjore të Hunter-it, duke i dhënë fund mundësisë për dënim apo burgim.