
Presidenti i SHBA Joe Biden do të ketë një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më vonë gjatë ditës.
Mediat e huaja bëjnë me dije se dy liderët do të flasin për sot propozimet e Hamasit për planin e armëpushimit të Gazës.
Izraeli mori dje përgjigjen e Hamasit për propozimin e bërë publik në fund të majit nga presidenti amerikan, i cili përfshin lirimin e rreth 120 pengjeve dhe zbatimin e një armëpushimi në enklavën palestineze.
Një zyrtar palestinez i tha Reuters se Hamasi ka treguar fleksibilitet në disa çështje që do të lejonin arritjen e një marrëveshjeje kornizë nëse ka miratimin e Izraelit.
Hamasi ka thënë se çdo marrëveshje duhet të çojë në përfundimin e luftës disamujore në Gaza dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga enklava. Izraeli këmbëngul se do të pranojë vetëm qetësi të përkohshme në konflikt derisa Hamasi të neutralizohet.
Plani parashikon lirimin gradual të pengjeve izraelite dhe tërheqjen e forcave izraelite gjatë dy fazave të para të zbatimit të marrëveshjes , si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Faza e tretë përfshin rindërtimin e enklavës palestineze dhe kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur.