Fathimath Shamnaz Ali Saleem, ministre e Shtetit për Mjedisin në Maldive është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se ka bërë "magji të zezë" kundër Presidentit Mohamed Muizzu. Mediat në vendin e Oqeanit Indian thotë se ministrja është prej 5 ditësh në qeli.
Ajo ishte përgjegjëse për mjedisin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, por u arrestua të dielën në kryeqytetin Male, së bashku me persona të tjerë. Ajo është mbajtur në paraburgim për një javë në pritje të hetimeve, ndërsa oficerët nuk kanë dhënë detaje specifike në lidhje me arrestimin e saj.
The Sun, raportoi se "Ka pasur informata se Shamnaz u arrestua për kryerjen e magjisë së zezë ndaj presidentit Mohamed Muizzu."
Edhe pse magjia nuk është një vepër penale në Maldive, ajo mund të rezultojë me një dënim me gjashtë muaj burg sipas ligjit islamik. Posti i Shamnaz është jetik, pasi ekspertët e OKB-së kanë paralajmëruar se rritja e nivelit të detit mund t'i bëjë Maldivet të pabanueshme deri në fund të shekullit.
Ish-bashkëshorti i ministres, Adam Rameez, i cili më parë ka punuar ngushtë me Presidentin Muizzu, është pezulluar nga detyra gjithashtu. Ai ka disa muaj që është larguar nga Presidenti. Ministrja e arrestuar është nënë e tre fëmijëve, mes tyre edhe një foshnjë nën moshën një vjeç.
Për më tepër, motra e ministres Fathimath Shamnaz Ali Saleem dhe magjistari i dyshuar u arrestuan më 23 qershor. Të dyve thuhet se iu është caktuar masa e paraburgimit për shtatë ditë pas paraqitjes në gjykatë.
Ceremonitë tradicionale që besohet se sjellin fat të mirë ose dëm për kundërshtarët, besohet se praktikohen gjerësisht në të gjithë vendin ishullor. Një grua 62 vjeçare u vra nga tre fqinjë në Manadhoo në prill 2023 pasi u akuzua për kryerjen e magjisë së zezë, sipas faqes së lajmeve Mihaaru, pas një hetimi të gjerë policor.
Policia tha se nuk kishte prova që viktima të merrej me magji. Në vitin 2012, policia ndërhyri në një tubim politik të opozitës, duke pretenduar se organizatorët kishin hedhur një "gjel të mallkuar" ndaj oficerëve që kryenin një bastisje në zyrat e tyre.