
Këtë të hënë, 13 janar, Belgjika është përfshirë nga një grevë mbarëkombëtarë ku punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor janë ngritur kundër planeve për reformave të pensioneve pas zgjedhjeve të qershorit në Belgjikë.
Gjithashtu i prekur është dhe transporti publik dhe shumë shkolla janë mbyllur ku me mijëra mësues priten të marrin pjesë në një tubim në Bruksel.
Kjo protestë ka sjellë dhe anulimin e dhjetëra fluturimeve. Ka qenë zëdhënësi i aeroportit ndërkombëtar të Brukselit ai i cili përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se rreth 40 % e fluturimeve janë anuluar.
“40% e fluturimeve janë anuluar ditën e sotme dhe ka të ngjarë që të ketë vonesa në fluturimet që po zhvillohen”, shprehet ai.
Gjithashtu, edhe në transportin hekurudhor ka pasur mos funksionim. Mësohet se dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha nuk funksionojnë.
Sindikata “Konfederata e Sindikatave të Krishterë”, ka thënë se këto protesta kanë ardhur pas vendimit të partive të vendit për të rritur moshën e pensionit për punonjësit e transportit publik.
“Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm’, sipas sindikatës CSC.