
Ndërsa BE po mendon të nisë bisedimet për paqe më Rusinë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë të hënën se ai nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin.
Bloomberg raportoi më 27 maj se blloku evropian është duke punuar për organizimin e një takimi në Arabinë Saudite në fund të këtij viti, ku do të merrte pjesë edhe Rusia.
Ai takim do të mbahej pas samitit të Ukrainës për paqe më 15-16 qershor në Zvicër, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga dhjetëra vende, por jo edhe nga Rusia.
“Putinit nuk i zihet besë”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Spanjë, ku ai e nënshkroi një marrëveshje dypalëshe për sigurinë me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, në vlerë 1 miliard euro më 27 maj.
Presidenti ukrainas tha se vendi i tij kishte mbajtur rreth 200 runde bisedimesh me Kremlinin, shumica e të cilave ishin mbajtur shumë kohë para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
“Nuk kishte rezultate; territoret e uzurpuara, mbetën të uzurpuara”, tha Zelensky. Ai tha se 90 vende janë pajtuar për të marrë pjesë në samitin për paqe në qytetin Lucern në Zvicër muajin e ardhshëm.
Të dielën, Zelensky përmes një video-mesazhi u bëri thirrje liderëve botërorë, në veçanti presidentit amerikan Joe Biden, të “tregojnë lidership në avancimin e paqes” dhe të marrin pjesë në takim.
Por Bloomberg raportoi se Biden do ta shmangë këtë samit për të marrë pjesë në një ngjarje për fushatën e vet presidenciale. Rusia nuk është ftuar në samitin e organizuar nga Ukraina. Zelensky ka thënë se pjesëmarrja e Rusisë do ta rrezikonte prishjen e samitit.
Moska e ka hedhur poshtë rëndësinë e këtij samiti në Zvicër. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte thënë në prill se bisedimet për paqe pa Rusinë “nuk kanë kuptim”.
Ngjashëm, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se vendimet në lidhje me luftën në Ukrainë që “shpërfillin qëndrimin e Rusisë” janë “jashtë çdo realiteti”. REL