Presidenti i rrëzuar sirian Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Moskë. Agjencia RIA NOVOSTI raportoi pak para orës 19:00 të së dielës në mbrëmje se Assad dhe familja e tij tashmë janë në Rusi.
Sipas agjencisë ruse, Moska i dha azil ish-presidentit të Sirisë, i cili u largua nga vendi i tij mëngjesin e kësaj të diele pasi grupi HTS hyri në Damask.
Rusia ka kërkuar gjithashtu të hënën një takim me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për misionin paqeruajtës të OKB-së në Lartësitë Golan, raportoi Reuters, duke cituar burime diplomatike.
Pikëpyetjet për fatin e Bashar al-Assad filluan që nga momenti kur rebelët hynë në kryeqytetin sirian.
Një aeroplan i Sirisë Air u ngrit nga aeroporti i Damaskut rreth kohës kur kryeqyteti u kap nga rebelët.
Avioni fillimisht fluturoi drejt brigjeve të Sirisë, një bastion i aleatëve të Asadit, por më pas bëri një kthesë të fortë 180 gradë dhe fluturoi për disa minuta në drejtim të kundërt përpara se të zhdukej nga harta.
Burime anonime pohuan se Assad mund të kishte vdekur në një aksident ajror, ndërsa të tjerë raportuan si mundësinë më të mundshme (një skenar që u konfirmua përfundimisht) që pilotët fikën transponderin në mënyrë që avioni të mos regjistrohej.