Tuneli i Llogarasë do të mbyllet duke nisur që nga data 5 nëntor, me qëlllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të këtij projekti.
Përmes një njoftimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës, ndërsa data e hapjes do të bëhet e ditur në një moment të dytë.
“Pas përfundimit të sezonit veror ku hapja e Tunelit të Llogarasë lehtësoi qarkullimin e mjeteve si dhe shkurtoi kohën e udhëtimit ashtu siç ishte bërë me dije që në fillim, ju njoftojmë se:
Tuneli i Llogarasë, duke filluar që nga data 05.11.2024, do të jetë i mbyllur me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të këtij projekti. Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës”, njofton ARRSH.
Tuneli i Llogarasë u hap më 5 korrik, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe duke shkurtuar kohën e udhëtimit. Nëse udhëtarët dikur Llogaranë e bënin për 40 minuta me hapjen e tij udhëtojnë për 7 deri në 8 minuta.
Kalimi në tunel do të jetë me pagesë, ndërsa ky investim shkurton rrugën për udhëtarët nga Vlora në Palasë nga 1 orë në vetëm 20 minuta.