
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol u arrestua nga Agjencia e Antikorrupsionit në Seul për tradhti, pas një përpjekjeje për grusht shteti më 3 dhjetor. Kjo ngjarje ka hyrë në historinë e vendit si rasti i parë kur një president në detyrë, megjithëse i pezulluar nga funksionet për shkak të shkarkimit nga Parlamenti, ndalohet nga autoritetet.
Yoon u përball me akuza për kryengritje dhe shpërdorim pushteti, pas shpalljes së një gjendjeje ushtarake që zgjati vetëm gjashtë orë, duke futur vendin në kaos. Ai refuzoi të dëshmojë gjatë marrjes në pyetje dhe, në një video të publikuar pas largimit nga pallati presidencial, deklaroi se rendi ligjor në Korenë e Jugut ka dështuar plotësisht. Ai shtoi se kishte ndjekur procedurat e ashtuquajtura të ligjshme vetëm për të shmangur konflikte dhe gjakderdhje, por nuk e njohu hetimin aktual.
Arrestimi i tij u realizua pas një operacioni të madh policor, ku morën pjesë 3,000 oficerë. Forcat e sigurisë thyen barrikadat dhe telat me gjemba që rrethonin rezidencën presidenciale. Hetuesit e Koresë së Jugut dhe oficerët e zbatimit të ligjit hynë në kompleksin presidencial rreth orës 7:30 të mëngjesit (me orën lokale) përmes barrikadave dhe kryen një kontroll gati tre orësh përpara se të arrestonin përfundimisht në orën 10:33 (02:33 me orën në Shqipëri) Pas tre orësh kërkime në kompleksin presidencial, Yoon u ndalua dhe u dërgua në një qendër paraburgimi në Seul.
Presidenti u pezullua nga detyra më 14 dhjetor, pas miratimit të një mocioni në Parlament për shkarkimin e tij, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e vendimit për të konfirmuar ose anuluar shkarkimin deri në mesin e qershorit. Arrestimi ka tronditur politikën e vendit, duke ndezur tensione të reja.
Opozita kryesore e ka përshëndetur këtë hap si një përpjekje për rikthimin e rendit kushtetues, ndërsa mbështetësit e Yoon kanë organizuar protesta, duke akuzuar autoritetet për prapaskena politike.