Presidenti i ri i SHBA-ve, Donald Trump ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në Siri dhe arratisjen e presidentit Bashar al-Assad. Sipas Trump Rusia nuk ishte e interesuar të mbronte presidentin Bashar al-Assad, duke e detyruar atë të largohej nga vendi.
Assad prej mëngjesit të sotëm, ka humbur çdo gjurmë pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e kryeqytetit Damaskun herët të dielën.
“Assad është zhdukur. Ai ka ikur nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë. Nuk kishte asnjë arsye që Rusia të ishte atje në radhë të parë. Ata humbën çdo interes për Sirinë për shkak të Ukrainës, ku rreth 600,000 ushtarë rusë janë të plagosur ose të vdekur, në një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe që mund të vazhdonte përgjithmonë”, - shkroi Trump në një postim në rrjetin “Truth Social”.
Trump ka thënë po ashtu se lufta në Ukrainë e ka dobësuar Rusinë dhe Iranin.
“Rusia dhe Irani janë në një gjendje të dobësuar tani, njëra për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së keqe, tjetra për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak.”