Armenia ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, pas Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë që e njohën atë muajin e kaluar.
Lajmin e ka bërë të ditur, Mnistria e Jashtme nëpërmjet një deklarate të dhënë ditën e sotme, ku thuhet se qeveria ka marrë vendimin për të njohur shtetin e Palestinës përkundër kundërshtimeve të forta nga pala izraelite.
Në vijim të deklaratës bëhet me dije se Armenia mbështet rezolutën e Kombeve të Bashkuara, për një armëpushim të menjëhershëm në luftën Izrael-Hamas, dhe kërkon vendosjen e Paqes në këtë vend.
Megjithatë vendimi i saj nuk është pritur aspak mirë nga Izraeli, i cili ka thirrur në mënyrë të menjëhershme ambasadorin armen në këtë vend, duke e qortuar për hapin e Armenisë në mbështetje të Palestinës.
“Pas njohjes nga Armenia të shtetit palestinez, Ministria e Jashtme ftoi ambasadorin armen në Izrael në takim për qortim të ashpër”,- u tha deklaratën për media.
Muajin e shkuar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia ishin në mesin e shteteve perëndimore që zyrtarisht e njohën shtetin palestinez. Vendimi i tyre u kritikua nga shteti hebre dhe në shenjë proteste ai tërhoqi ambasadorët e tij nga 3 vendet respektive, Madridi, Dublini dhe Oslo, ndërsa kërcënoi se do të shkëpuste marrëdhëniet diplomatike me këdo vend që vendos të njohë shtetin palestinez.