
Tetë persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën ditën e djeshme në një aksident tragjik, pasi një autobus u përplas me një kamion dhe një makinë në provincën veriperëndimore të Çanakalasë, në Turqi, njoftuan autoritetet lokale.
Guvernatori i Çanakalasë, Omer Toraman, deklaroi për mediat se kamioni ishte përmbysur në korsinë e kundërt, duke u përplasur fillimisht me një autobus pasagjerësh dhe më pas me një automjet tjetër.
Sipas Toramanit, shoferi i kamionit dhe shtatë pasagjerë të autobusit humbën jetën në vendngjarje. Ndërsa 20 persona të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike dhe janë dërguar me urgjencë në spitalet më të afërta.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura dhe hetimet janë në vijim. Ministri i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, njoftoi se është hapur një hetim gjyqësor për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se për këtë çështje janë caktuar dy prokurorë publikë.