
Administrata e Trump po shqyrton ndryshimin e rekomandimeve rutinë për vaksinimin kundër Covid-19, veçanërisht për gratë shtatzëna, fëmijët dhe adoleshentët, raporton Wall Street Journal.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, i udhëhequr nga sekretari Robert F. Kennedy Jr., pritet të propozojë ndryshime në qasjen ndaj miratimit dhe promovimit të vaksinave, përmes një strukture të re rregullatore.
Aktualisht, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rekomandojnë vaksinimin kundër Covid-19 për të gjithë personat mbi moshën gjashtë muajsh, përfshirë gratë shtatzëna.
Nuk është ende e qartë nëse HHS do të heqë tërësisht këto rekomandime apo thjesht do të orientojë pacientët që të konsultohen me mjekët e tyre për të vlerësuar rreziqet dhe përfitimet individuale të vaksinimit.
Robert F. Kennedy Jr., ka qenë kundërshtar i hershëm i vaksinave kundër Covid-19, në vitin 2021 i kërkoi FDA-së të revokojë autorizimin për përdorimin emergjent të tyre.
Disa aleatë të Trump që po punojnë me të gjithashtu janë shprehur kundër vaksinave, veçanërisht atyre me teknologji mRNA dhe atyre të miratuara për fëmijët.