Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

A mund të bëhet president një Donald Trump i dënuar?

Shkruar nga Newsbomb
A mund të bëhet president një Donald Trump i dënuar?
Ish-presidenti i SHBA/ Donald Trump

Donald Trump, kandidati me shumë gjasa i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në nëntor 2024 është shpallur fajtor në procesin e parë gjyqësor kundër një ish-presidenti amerikan. Juria e gjykatës në Nju Jork e deklaroi Trump fajtor në 34 pika të aktakuzës.

Nga 15 prilli gjykata u mor me akuzën, nëse në fushatën e zgjedhjeve presidenciale 2016 u paguan para për të mos u bërë publike historitë e Trumpit për seks jashtëmartesor me një yll pornografie. Ky proces ishte i pari në katër procese gjyqësore, me të cilat duhet të përballet Trump.

Në Xhorxhia bëhet fjalë për dyshime se ka pasur përpjekje për të ndryshuar rezultatin e dështuar zgjedhor në këtë shtet federal në zgjedhjet presidenciale në vitin 2020. Ka edhe dhe dy procese të tjera kundër tij, ku bëhet fjalë për përhapje gënjeshtrash për manipulime zgjedhore për të qëndruar në pushtet, si edhe për ruajtjen e dokumenteve sekrete qeveritare pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

A mund të kandidojë Trump në rast të dënimit?

Po. Pavarësisht si përfundojnë proceset gjyqësore kundër tij, Trump do të mund të kandidojë për postin e presidentit- Kushtetuta amerikane vendos tre kërkesa për personat që e synojnë këtë post: Ata duhet të jenë qytetarë të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe të paktën 35 vjeç. Dhe të paktën duhet të kenë jetuar 14 vjet nëSHBA. Askund nuk thuhet, se një kriminel i dënuar nuk mund të kandidojë apo të bëhet president.

A mundet Trump të diskualifikohet në bazë të kushtetutës amerikane, neni 14?

Paragrafi 3 i nenit shtesë 14 të kushtetutës amerikane, thotë, se personat që “kanë marrë pjesë në një kryengritje apo rebelim”, pasi janë betuar për kushtetutën, janë të përjashtuar nga ushtrimi i “një detyrë civile apo ushtarake në Shtetet e Bashkuara”.

Aktivistët që duan të shohin që ish-presidenti të diskualifikohet mbi këtë bazë përmendin sjelljen e Trumpit para sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Ata thonë, se gënjeshtrat e Trumpit, se demokratët i vodhën zgjedhjet, e nxitën turmën e djathtë të mësyjë Kapitolin. Për këtë arsye kjo konsiderohet sipas tyre, si pjesëmarrje në kryengritje.

Në një sërë shtetesh federale ka pasur përpjekje për të larguar Trumpin nga zgjedhjet paraprake mbi bazën e këtij neni shtesë. Në mars 2024, Gjykata Supreme e hodh poshtë kërkesën e Kolorados, duke deklaruar, se shtetet federale nuk kanë kompetencë për të përjashtuar personat nga kandidaturat për poste federale.

A mund të votojë Trump megjithë dënimin?

Me gjasë jo. Trump është i regjistruar si votues në Florida. Personat e dënuar nuk kanë të drejtë votimi aty. “Shumica e të dënuarve në Florida e rifitojnë të drejtën e votimit, pas e kanë kryer plotësisht dënimin e tyre”, shpjegon reporterja për çështjet politike e New York Times, Maggie Astor. Nëse Trump dënohet me kusht, atëherë sërish nuk mjafton koha për shlyerjen e dënimit që ai të rifitojë të drejtën e votës. Masa e dënimit do të jepet më 11 korrik, pak ditë më vonë fillon kongresi i emërimit të kandidatit tek republikanët.

Por nëse Trump do duhej të shkonte në burg, çfarë do të ndodhte?

Për këtë nuk ka një përgjigje të qartë. “Ne jemi shumë larg nga gjithçka që ka ndodhur më parë”, tha Erwin Chemerinsky, ekspert i kushtetutës në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley për New York Times para procesit. “Ky do të ishte spekulim i pastër.” Parë nga ana ligjore, Trump do të kishte të drejtë për kandidaturën e tij, edhe nëse ndodhet në burg. Por një president që votohet, në një kohë që është në burg, do të ishte një sfidë logjistike. Repoterja Astor, spekulon, se Trump mund të kërkojë lirimin “me arsyetimin, se burgosja e tij do ta pengonte që të përmbushte detyrimet e tij kushtetuese si president.” Por gjithçka është spekulative, kjo nuk ka ndodhur më parë, dhe nuk është e lehtë të bëhen parashkimet./DW/

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese