Nga Daily Mail
Një fluturim deportimi që transportonte emigrantë dhe kriminelë drejt Shqipërisë kishte vetëm 47 persona në bord, me një kosto prej 1 milion paund për taksapaguesit, sipas raportimeve të sotme.
Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar publikoi dje imazhe të personave që po dëboheshin nga Britania, në përpjekje për të ashpërsuar qasjen ndaj emigracionit.
Zyrtarët thanë se midis 5 korrikut 2024 dhe 31 janarit 2025 janë kryer 5,074 kthime me detyrim – një rritje prej gati 25% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tyre, gjithsej 2,925 të huaj të dënuar janë dëbuar nga vendi.
Ministria e Brendshme deklaroi se kjo ishte hera e parë që publikonte imazhe të fluturimeve të saj të deportimit.
Megjithatë, sipas gazetës The Telegraph, avioni Airbus A321 i marrë me qira, i cili ka një kapacitet prej 220 personash, mbante vetëm 47 shqiptarë, si dhe deri në 150 roje sigurie dhe anëtarë të ekuipazhit.
Bazuar në një vlerësim të Ministrisë së Brendshme të vitit 2023, ku kostoja e dëbimit të një personi llogaritej rreth 22,000 paund, kjo nënkupton që fluturimi ka kushtuar mbi 1 milion paund.
Fluturimet e posaçme me charter janë të nevojshme, pasi linjat ajrore të rregullta refuzojnë të marrin pjesë në këto operacione.
Kjo ndodhi pasi ministrat mbrojtën vendimin e tyre për të publikuar pamje të emigrantëve të paligjshëm që arrestoheshin gjatë bastisjeve të mëngjesit, duke e cilësuar këtë veprim si një qasje “me dhembshuri”, pas kritikave nga e majta politike.
Administrata e re e Presidentit Trump ka publikuar rregullisht fotografi të emigrantëve që dëbohen me pranga.
Në total, 39 fluturime charter janë nisur drejt vendeve në Afrikë, Azi, Evropë dhe Amerikën e Jugut.
Shumica e kthimeve janë vullnetare, ku personat që nuk kanë leje qëndrimi në Britani mund të marrin deri në 3,000 paund për t’u ndihmuar në riintegrimin e tyre në vendet e origjinës.
Zyrtarët kanë deklaruar se, që nga zgjedhjet e përgjithshme, gjithsej 18,987 azilkërkues të refuzuar, kriminelë të huaj dhe emigrantë të paligjshëm janë kthyer në vendet e tyre.
Sipas tyre, kjo përfaqëson shkallën më të lartë të kthimeve të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2018 dhe përfshin katër fluturimet më të mëdha të deportimit në historinë e vendit, me mbi 850 persona të dëbuar në total.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, tha: *"Për të rikthyer besimin e publikut në sistemin e emigracionit, duhet të tregojmë që rregullat respektohen dhe zbatohen.
Pikërisht për këtë arsye, si pjesë e Planit për Ndryshim të Qeverisë, kemi investuar burime shtesë të konsiderueshme në zbatimin e ligjeve të emigracionit dhe kthimet, në mënyrë që ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi këtu, veçanërisht ata që kanë kryer krime në vendin tonë, të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Dua të përgëzoj të gjithë punonjësit e Zbatimit të Emigracionit dhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme që punojnë pa u lodhur çdo ditë për të siguruar një sistem kthimesh të drejtë, të shpejtë dhe të rreptë."
Ministria e Brendshme gjithashtu raportoi një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve të paligjshëm të arrestuar.
Nga 5 korriku, kur Laburistët erdhën në pushtet, deri më 31 janar, janë kryer 3,930 arrestime gjatë 5,424 kontrolleve nga zyrtarët e zbatimit të emigracionit, një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm në muajin e fundit janë arrestuar 609 punëtorë të paligjshëm, shifra më e lartë që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 2019.
Gjithashtu, në janar janë kryer 828 bastisje në vende pune të dyshuara për punësimin e paligjshëm të të huajve, nga 556 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe vetëm 171 në janar të vitit 2019.
Qeveria ka nisur të publikojë detaje mbi këto bastisje pas sondazheve që tregojnë se Partia Laburiste mund të humbasë më shumë mandate ndaj Partisë Reformiste sesa ndaj Konservatorëve.
Grupi Red Ëall i rreth 40 deputetëve laburistë u ka kërkuar ministrave të tyre të japin një mesazh më të fortë mbi emigracionin për të parandaluar rënien elektorale.
Zyrtarët e Agjencisë së Zbatimit të Emigracionit në Ministrinë e Brendshme kanë zbuluar se emigrantët që kanë mbërritur ilegalisht përmes Kanalit po punojnë gjithashtu në mënyrë të paligjshme, është bërë e ditur.
Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, punëtorët e paligjshëm shpesh përfundojnë duke jetuar në kushte të mjerueshme dhe duke punuar orë të gjata çnjerëzore për shumë pak ose aspak pagesë.
Banda të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore po nxisin emigracionin e paligjshëm duke u dhënë emigrantëve "premtime të rreme" për mundësitë e tyre për të punuar në Britani, kanë shtuar burimet.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, tha: "Rregullat e emigracionit duhet të respektohen dhe të zbatohen."
