Një person ka sulmuar me thikë disa qytetarë në një qendër tregtare të Sidnej, mëngjesin e kësaj të shtune. Gjatë këtij sulmi kanë mbetur të vdekur 5 persona, ndërsa janë plagosur dhe disa të tjerë.
Sipas raportimeve të DailyMail, mes të plagosurve ndodhet edhe një foshnje 9- muajshe bashkë me nënën e saj, të cilat ndodhen në spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Ngjarja e ndodhur rreth orës 16:00 me orën lokale ose rreth orës 7:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, ka ngritur dyshimet e autoriteteve vendase për një sulm të mundshëm terrorist.
Autoritetet vendase bëjnë të ditur se agresori ka mbetur i vrarë në vendin e ngjarjes, pasi u godit nga një oficere e policisë së zonës që ishte në patrullë gjatë kësaj kohe.
Nisur nga hetimet e policisë, autori i kësaj ngjarje makabre nuk ka vepruar i vetëm ndërsa po punohet për të kapur bashkëpunëntorin e tij.
Sipas qytetarëve të ndodhur në vendngjarje, sulmuesi ishte ”i çmendur”, pasi godiste gjithkënd që i dilte para, e ndërsa të tjerë që ndodheshin jashtë shprehen se nuk po e kuptonin se cfarë po ndodhte pasi shikonin vetëm njerëz që dilnin nga qendra tregtare me rroba të mbuluara në gjak.