Nga Klodiana LALA
Bedrie Loka mbylli sytë në fillim të këtij viti, pasi piu fostoksinë, duke i thënë të birit se realiteti ishte ndryshe nga imazhi që po përcillej në internet dhe TikTok. Gjithçka nisi me hapjen e një llogarie të rremë në TikTok, të cilën Bedria vetë e raportoi në polici.
Megjithatë, autoritetet nuk arritën të hetonin dhe të ndjekin autorët e vërtetë të kësaj llogarie, duke e lënë situatën të përshkallëzohet. Pas shpërthimit të kësaj llogarie bullizuese në TikTok, jetesa e Bedries u bë e vështirë për më shumë se një vit. Burri humbi besimin tek ajo, duke e akuzuar dhe duke i thënë se do ta çonte drejt vetëvrasjes. Edhe vajza e madhe e këshillonte të heshtte dhe të mos ankohej.
Ky ishte realiteti i dhimbshëm brenda familjes, ku hapja e derës për të shkuar në punë u bë një akt i vështirë për Bedrien, pasi shoqëria e akuzonte dhe e fyente për gjëra që nuk ishin të vërteta. Ndërkohë, vëllezërit e saj e dinin se burri e dhunonte, por Bedria ndjente se nuk mund të kthehej mbrapa, sepse do të shkelte nderin. Situata e saj u përkeqësua dhe depresioni e kaploi, duke e lënë pa mundësi për të gjetur mbështetje. Në këto momente të vështira, gjeti një zgjidhje të shpejtë: të mbyllte sytë përjetë.
Ndërsa priste nga policia ti gjente fajtorët për shpërndarjen e komenteve në rrjetet sociale, shihte se ato më shumë shtoheshin. Nga një llogari në tik tok u shtuan disa. Kolegët e punës e shihnin me dyshim. Kishte nga ata që nuk i flisnin. Të tjerë i hidhnin edhe romuze sesa do të donte në një natë. Fundja, katundarët e Sukthit apo të fabrikës nuk kërkonin salltanete. Në mendjet e tyre më të errta skizofrene, edhe Bedria mund tua plotësonte tekat.
Kishte nga ata që e dinin se llogaritë ishin falso, por shumë të tjerë s’kishin nga ta dinin se vetë Bedria e kishte denoncuar.
Turpin po e hante me bukë, sepse kërkonte lekë për të blerë bukë për 4 fëmijë që kishte për të rritur. Me të shoqin në Greqi, vështirësitë për të rriteshin pa fund. Ardhja e tij në shtëpi, në vend që të ishte një ngushëllim dhe një kërkesë për ndihmë, u kthye në një ferr të vërtetë. Do e vrasë sot, a do e vrasë nesër! Do jenë fëmijët në shtëpi e ta shohin, a do jenë të ikur. Mes gjithë këtyre enigmave, kur askush nuk lëvizte gishtin për ta mbrojtur, e vendosi vetë ta bënte hapin e fundit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetenëntë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…