Bashkia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me shqetësimin e prindërve për gjendjen e shkollës 9 vjeçare “Sulejman Ramçi”, duke mos lejuar fëmijët të nisin vitin e ri shkollor.
Bashkia thotë se shkolla është dëmtuar nga tërmeti, ndërsa projekti për rikonstruksion të plotë i ka shkuar Ministrisë së Arsimit por nuk është miratuar.
“Nëse deri në muajin Tetor nuk do të akordohen fonde nga Ministria, Bashkia e Elbasanit ka gati projektin për ndërhyrje të pjesshme me fondet e saj”, njofton Bashkia Elbasan duke i bërë thirrje prindërve të mos pengojnë fëmijët të shkojnë në shkollë.
Reagimi:
Bashkia e Elbasanit është e njohur me shqetësimin e banorëve të fshatit Mengël në lidhje me hapjen e shkollës 9 vjecare “Sulejman Rramçi”.
Kjo shkollë mori dëmtime nga tërmeti në maj të vitit 2017 dhe ekspertët vlerësuan që zhvillimi i mësimit rrezikonte jetët e fëmijëve.
Në këto kushte Bashkia e Elbasanit siguroi transportin falas të fëmijëve në shkollat e qytetit; kujtojmë se fshati Mengël është vetëm 3 km larg qendrës së Elbasanit.
Ekspertët gjykuan se rikonstruksioni i plotë i ndërtesës ishte zgjidhja ideale, në një godinë e cila ishte ndërtuar jashtë standardeve në vitet 1991. Bashkia e Elbasanit përgatiti projektin dhe kërkoi financime nga Ministria e Arsimit që në thirrjen e parë që kjo e fundit bëri për rikonstruksionet e shkollave.
Meqënëse deri në ditët që flasim, për këtë shkollë nuk janë miratuar fonde, Bashkia e Elbasanit vendosi të bëjë ndërhyrje të pjesshme të godinës, ndërhyrje të cilat do të sigurojnë qëndrueshmërinë e shkollës nga ana konstruktive.
Nëse deri në muajin Tetor nuk do të akordohen fonde nga Ministria, Bashkia e Elbasanit ka gati projektin për ndërhyrje të pjesshme me fondet e saj.
Bashkia e Elbasanit u bën thirrje prindërve të mos pengojnë fëmijët të shkojnë në shkollë, pasi çdo ditë e humbur mësimi është në dëm të edukimit të tyre, ndërsa rikonstruksioni i shkollës është vetëm proces kohe dhe vendim i drejtë në përkujdesje të jetës së nxënësve.