
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 15 dhjetor në burgun e Peqinit ku i burgosuri përjetë, Sokol Mjacaj, qëlloi për vdekje të dënuarin tjetër , Arben Lleshi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u vu në lëvizje dhe për arsye sigurie dha vendimin për transferimin e të burgosurve “VIP” të cilët vuanin dënimin në burgun e Durrësit.
Më 19 dhjetor, ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-ministri Lefter Koka për arsye sigurie u transferuan nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Por, burime për mediat bëjnë me dije se Bllako dhe Koka janë rikthyer sërish në qelitë e burgut të Durrësit. Sipas asaj që raportohet mësohet se rikthimi i tyre lidhet me masat që pritet të jepen në Gjykatë dhe për lehtësim të distancës.
Së bashku me ish-deputetin dhe ish-ministrin në Durrës është rikthyer edhe prourori Xhevahir Lita i cili akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Burgu i Durrësit prej kohësh ka marrë pseudonimin si burgu i “VIP-ave” për shkak se zyrtarë të lartë të cilët akuzohen për vjedhje të taksave të qytetarëve dhe abuzime me detyrat po vuajnë dënimin brenda qelive të këtij burgu.
Ky institucion është me kushtet më të mira dhe vuajnë dënimin afërsisht 300 të burgosur në Shqipëri. I ndërtuar pas vitit 2007, burgu i Durrësit është i vetmi që ofron kushte argëtimi, ku nuk mungojnë as ambientet e faljes për besimtarët, një biblotekë e madhe dhe madje dhe palestra luksoze.
Më herët në media qarkulloi lajmi se brend ambienteve të këtij burgu disa muaj më parë ishin lejuar grupe punëtorësh ndërtimi, të cilët kishin punuar për të krijuar kushte speciale për politikanët e arrestuar. Madje, madje atyre u ishte krijuar një duplex i vërtetë, me arkitekt të dedikuar, ku sipër kishin krevatin e fjetjes ndërsa poshtë kanë krijuar kushte të ndryshme, nga përdorimin i telefonave, laptopeve, e deri tek konsumimi i pijeve alkoolike. Gjithashtu, ato që kanë qenë dhoma speciale janë arreduar dhe kthyer në dhoma të personalizuara me të gjitha kushtet luksoze ku nuk mungon asnjë aksesor.