Hapësire reklamuese

Politikë

Blinken, një déjà vu Shqiptaro-Amerikane

Shkruar nga Newsbomb
Blinken, një déjà vu Shqiptaro-Amerikane

Nga AFRIM KRASNIQI

Më 14 shkurt 2016 erdhi në Tiranë Xhon Kerri. Qëndroi disa orë me tri mesazhe kryesore, - “reformën në drejtësi është jetike”, “mbështetje për stabilitet rajonal” dhe “falenderime për kontributin e saj në luftën kundër Shtetit Islamik”. Takoi zyrtarë të lartë, të rinjtë, median dhe në mbrëmje udhëtoi drejt Konferencës së Sigurisë në Mynich në Gjermani.

8 vite më vonë, një tjetër sekretar shteti, Antony Blinken, thuajse në të njëjtën datë (15 shkurt) vizitoi Tiranën me tri mesazhe kryesore, - rikonfirmimin e partneritetit në linjën e agresionit në Ukrainë dhe dialogut ballkanik”, “nxitje të drejtësisë” dhe “falenderim për strehimin e emigrantëve afganë”. Takoi zyrtarë të lartë, të rinjtë, katër institucione të drejtësisë dhe në mbrëmje udhëtoi drejt Konferencës së Sigurisë në Mynich në Gjermani.

Ngjashmëria e dukshme në data, agjendë dhe mesazhe shpreh thelbin e marrëdhënieve midis dy vendeve nga këndvështrimi reciprok: Shqipëria proamerikane ndjehet me fat nga aleanca me SHBA dhe është përfituese e shumëfishtë e kësaj lidhjeve, SHBA sheh tek Shqipëria një vend aleat që i përgjigjet interesave gjeopolitike amerikane dhe inkurajon qasje strategjike për reforma funksionale.

Dy vendet nuk kanë asnjë mosmarrëveshje mes tyre dhe as çështje që ia vlejnë të debatohen në nivelet e larta. Politika e jashtme e Shqipërisë ndjek atë të SHBA dhe kjo e fundit e udhëheq atë.

Blinken është sekretari i gjashtë që vizitoi zyrtarisht Tiranën, një bilanc i nivelit të lartë më i madh sesa fuqi të rëndësishme europiane si Franca apo Britania e Madhe. Vizita erdhi në kuadër të përpjekjeve për qasje të re më strategjike amerikane dhe Perëndi[1]more ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, agjendës së anëtarësimit në BE, parandalimit të zgjerimit të krizës dhe ndikimeve ruse, nevojës për siguri e stabilitet të qëndrueshëm dhe brenda vendit, për kalimin nga reforma në drejtësi tek drejtësia funksionale.

Mesazhi simbolik përmes takimit me katër institucionet e reja të drejtësisë (GJK, GJL, ILD, SPAK) dhe jo organet e vettingut apo KLGJ/KLP si “qeveria e gjyqësorit/prokuorisë“, është mesazh funksionaliteti të katër shtyllave kryesore të drejtësisë: natyra kushtetuese e shtetit, normat ligjore, kontrolli i sistemit dhe hetimi ndaj korrupsionit në nivele të larta.

Tirana politike u shfaq më shumë përfituese sesa kontribuese e këtyre raporteve, duke mos shfaqur ende qasje strategjike leximi dhe reagimi mbi sfidat e politikës dhe sigurisë. Si çdo qeveri, kryeministër dhe opozitë tjetër edhe në rastin e Blinken të njëjtit e keqpërdoren vizitën dhe mesazhet për agjenda ditore personale. Rama nuk pikturoi as ndau pjata e pica të dedikuara me emrin / foton e tij si në Samitin me BE, por dhuroi librin shtetëror me pikturat e tij, si dhe konsumoi dy herë më shumë kohë për të komentuar gjendjen në botë sesa vetë përfaqësuesi i shtetit më të fuqishëm botë.

Opozita mbeti peng i “ballkonit„ ndërkohë që lajm i ditës në Tiranë nuk ishte mesazhi për reforma dhe një koncept të ri të nevojës për politika e qasje strategjike, por detajet e kortezisë, batutat, gara e fotove apo teoritë konspirative kë (s)takoi.

E papërgatitur për sfidat e rendit të ri gjeopolitik dhe nevojës për reforma për të mbyllur me sukses tranzicionin Tirana politike edhe njëherë iu gëzua mbështetjes amerikane duke zgjedhur rrugën më të lehtë, - ia besoi asaj zgjidhjen e problematikave (të veta) madhore. Blinken nuk bëri headline sepse vizita nuk kishte këtë synim, - ajo risolli të njëjtat mesazhe duke zhvendosur renditjen e prioriteteve. Imazhi i vizitës nuk u ishte mitingu (Bejker), parlamenti (Ollbrajt dhe Klinton), selitë politike (Kerry) apo Adriatik 3 (Poëell), por piramida si qëndër teknologjike. Në thelbin e saj, vizita përvecse një ishte një lajm i mirë për Shqipërinë, duke e rikonfirmuar atë si stacion amerikan në Ballkanin Perëndimor, dëshmoi edhe se SHBA po e zgjeron prezencën në sektorët strategjikë si mbrojtja, teknologjia e siguria kibernetike, energjitika dhe lufta ndaj krimit të organizuar.

Dhe në kohën e sotme të sfidave të shumta, rikthimi i SHBA në Shqipëri e rajon i jep shpresë vizionit të demokracisë dhe modelit të së drejtës, të cituara fillimisht nga Bejker (1991) perifrazuar nga Blinken (2024).

Këtë editorial dhe artikuj të tjerë mund t'i lexoni në numrin e tridhjetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 shkurt dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese