Blendi Gonxhja e sqaron: S'ka shkurtim stafi, kemi shtuar punonjësit dhe pagat
Shkruar nga Newsbomb
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me lajmet që qarkulluan mesditën e kësaj të mërkure në mediat, se me shkrirjen e Ministrisë së Kulturës të drejtuar më herët nga Elva Margariti dhe me ndarjen e Ekonomisë nga Financa janë shkurtuar dhe vendet e punës.
Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale ministri Gonxhe ka hedhur poshtë këto lajme duke informuar më tej se nga krijimi i kësaj ministrie të re nuk ka asnjë person të hequr nga puna, përkundrazi sipas tij janë krijuar dhe 71 vende të reja pune.
“Ish MFE pakësohet me 113 vende pune (portofoli i Ekonomisë ndahet nga Ministria e Financave dhe i bashkohet MEKI-t), ish MK pakësohet me 91 vende pune (portofoli i Ministrisë së Kulturës i bashkohet MEKI-t), krijohet portofoli i ri i Inovacionit dhe të riorganizuara në MEKI, të tre portofolet së bashku me strukturat mbështetëse, rregullatore dhe Kabinetin e ri, shkojnë në një numër total prej 275 vendesh pune! Pra aritmetikë e thjeshtë = krijimi i MEKI shton 71 punonjës!”, sqaron ministri duke theksuar më tej se asnjë punonjës i mëparshëm nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë apo Ministria e Kulturës, që preket nga ky bashkim portofolash nuk humbet punën apo pozicionin e mëparshëm, madje Gonxhja thotë se këtyre punonjësve të cilët do të bëhen pjesë e Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit do i rriten rrogat.
Postimi i plotë:Jam i bindur që është keqkuptim i gazetarit, që duhet të kishte pyetur edhe pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), por për të qetësuar punonjësit e MEKI dhe për të sqaruar publikun më duhet të informoj se nga krijimi i kësaj ministrie të re nuk ka asnjë të shkurtuar nga puna, përkundrazi, janë krijuar 71 vende të reja pune! Ish MFE pakësohet me 113 vende pune (portofoli i Ekonomisë ndahet nga Ministria e Financave dhe i bashkohet MEKI-t), ish MK pakësohet me 91 vende pune (portofoli i Ministrisë së Kulturës i bashkohet MEKI-t), krijohet portofoli i ri i Inovacionit dhe të riorganizuara në MEKI, të tre portofolet së bashku me strukturat mbështetëse, rregullatore dhe Kabinetin e ri, shkojnë në një numër total prej 275 vendesh pune! Pra aritmetikë e thjeshtë = krijimi i MEKI shton 71 punonjës! Asnjë punonjës i mëparshëm nga MFE apo MK, që preket nga ky bashkim portofolesh, nuk humbet punën apo pozicionin e mëparshëm, përkundrazi ish punonjësit e MK nga bashkimi kanë rritje page duke u njehsuar brenda MEKI! Keqardhje sesi një përtesë për të verifikuar informacionin çon në lajme ❌ pa asnjë bazë dhe në shqetësim për të interesuarit!? FALEMINDERIT Qeverisë Shqiptare për +71 vende të reja pune në mbështetje të ekipit dhe të misionit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit!