Opozita më e fortë në fushatën e tij për tu rizgjedhur në krye të FIFA-s, për zviceranin 78 vjeçar Josepp Blatter, vjen nga ana e UEFA-s.
Menaxheri helvetik Blatter do të kandidojë për mandatin e pestë në krye të FIFA gjatë zgjedhjeve të muajit Maj ku do të ketë përballë Jerome Champagne, Princin e Jordanisë, Ali Bin Hussein dhe ish sulmuesin francez të Tottenham, David Ginola, por në vend fjalëve për rivalët, ai ka sulmuar UEFA
“E gjithë opozita kundër meje mbështetet nga zyrat me qendër në Nyon. Kjo është e vërteta edhe pse ndoshta e papritur. Ata nuk kanë kurajë të më dalin përballë dhe nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën të mos flasin dhe të më respektojnë” tha Blatter në një intervistë dhënë për CNN.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini nuk pranoi të hidhte kandidaturën e tij dhe sipas Blatter është ai që po mbështet kandidatët e tjerë. Gjithsesi, numri 1 i FIFA-s bën thirrje që UEFA të ulë ritmin e sulmeve ndaj tij.
“Futbolli është një sport që luhet në grup prandaj le të luajmë si një skuadër e bashkuar. E ftoj UEFA-n dhe në veçanti drejtuesit e saj që të heqin dorë nga sulmet dhe të shijojnë lojën e futbollit që ka mesazh unitetin. Unë kam 40 vjet në FIFA dhe e di se është e pamundur t’i lumturosh të gjithë” tha Blatter.