Hapësire reklamuese

Aktualitet

Biznesmeni Gjergj Luca pro “Ballkanit të Hapur”: Të hapen rrugët, ekonomia i bashkon njerëzit! Politikanët që morën këtë iniciativë janë më të mirët e 100 viteve të fundit

Shkruar nga Newsbomb
Biznesmeni Gjergj Luca pro “Ballkanit të Hapur”: Të hapen

Biznesmeni Gjergj Luca ka dalë pro nismës “Ballkani i Hapur”, pasi është shprehur se heqja e barrierave e ndihmon ekonominë shqiptare.

Ai tha në News 24 se hapja e tregjeve u jep mundësi njerqzve të punojnë dhe bujqëve të shesin prodhimet e tyre edhe në tregjet e rajonit. Sipas tij, politikanët që kanë marrë iniciativën për këtë nismë janë politikanët më të mirë të 100 viteve të fundit.

“Unë kam mendim që njerëzit midis demagogjisë dhe ekonomisë, kanë zgjedhur ekonominë. Për demagogji, ne kemi qenë 50 vite në burg. Të gjithë kemi qenë në burg dhe hanim 4 herë në javë grosh, dhe të dielën hanim nga një krah pule. Kosova përballë nesh nuk e ka pasur flamurin (demagogjinë), por ka pasur ekonominë. Ka qenë një vend i hapur brenda Jugosllavisë. Në Kosovë njerëzit kanë shkuar të shkollohen në mes Zagrebit, Beogradit dhe Ljubjanës, kanë lëvizur në të gjithë Europën pa vizë. Kosova donte flamurin dhe sot ka probleme me ekonominë, ndërsa ne kishim probleme me ekonominë se kishim flamurin.

Kosova e ka fituar luftën e flamurit, dhe flamuri i Kosovës valëvitet. Njerëzit duan të shohin ekonominë, e cila është heqja e barrierave. Është që ai zotëria që prodhon domate, unë që prodhoj peshk, të lëvizim në të gjithë Ballkanin dhe të shesim në të gjitha markatat. Ku është ngërç i bujqësisë sot? Ngërçi është te tregu. Këta gërthasin ‘shihni bujqësinë, po derdhet prodhimi’. Mirë që po derdhet prodhimi, por si shitet prodhimi? A jemi ne më të fortë dhe më të mëdhenj duke pasur kufijtë e hapur?

Si mendojnë këta njerëz se i korrigjojnë plagët e hapura prej luftës. I korrigjojnë duke lënë njerëzit në llogoret e veta, apo duke hapur kufijtë dhe të punojnë njerëzit. Për mua, këta politikanë që kanë marrë iniciativën e Ballkanit të Hapur, janë politikanët më të mirë të 100 viteve të fundit që kanë menduar për këtë Ballkan, pasi ekonomia i bashkon njerëzit. Duhet çuar ky vend, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi që të hiqen kufijtë dhe të shërojnë këto plagë nëpërmjet ekonomisë. Këta që gërthasin kundër Ballkanit të Hapur janë demagogë”, u shpreh Luca.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese