Hapësire reklamuese

Politikë

Biseda private me Blinken, Rama del me thirrje për Qeverinë Kurti: Dëgjoni aleatët që u dhanë lirinë!

Shkruar nga Newsbomb
Biseda private me Blinken, Rama del me thirrje për Qeverinë Kurti:
Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit janë duke dhënë një konferencë të përbashkët nga Tirana, pak para se Antony Blinken të lërë vendin tonë për të udhëtuar menjëherë më pas në Mynih. Rama e ka falenderuar zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen ndaj kombit shqiptar. "Është gjithnjë një ditë e shënuar në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dita kur një Sekretar i Shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i gjashti, por këtë herë ne e kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufijtë e Europës", u shpreh Rama. Pavarësisht falenderimeve dhe fokusit të vizitës në Tiranë, kryeministri dha një mesazh të fortë edhe për Kosovën dhe qeverinë e atjeshme të drejtuar nga Albin Kurti. Edi Rama tregoi se biseda private me Antony Blinken kishte shkuar shumë mirë, një "bashkëbisedim i hapur  dhe i thellë" siç e quajti kryeministri shqiptar. Megjithatë, nga diskursi i deklaratës u la të kuptohej se një pjesë të rëndësishme të takimit e ka zënë dhe Kosova. "SHAB kanë qenë, janë dhe do të mbeten të palëkundura në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe është mirë që shqiptarët kudo ku janë, sidomos ata në Kosovë, të mos e harrojnë që pa SHBA nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës", tha Rama. Kryeministri shqiptar ishte shumë i drejtpërdrejtë gjatë deklaratës për shtyp krah mikut amerikan, duke i thënë qeverisë Kurti se nga veprimet e pakonsultuara me Amerikën mund të fitohen disa vota më shumë, por asgjë tjetër. "Unë dua ta përsëris apelin tim për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar me aleatët tanë strategjikë. Është në radhë të parë në interes të tyre dhe pastaj të aleancës tonë. Nga këto veprime mund të fitohen ca vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja", u shpreh Edi Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama në konferencën me Blinken:

Shumë i nderuar Sekretar i Shtetit, i dashur Toni. Është gjithnjë një ditë e shënuar në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dita kur një Sekretar i Shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i gjashti, por këtë herë ne e kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufijtë e Europës, por dhe në zona të tjera me rëndësi strategjike për botën ku jetojmë. Fakti që ju gjetët kohë dhe njëkohësisht edhe e patë të nevojshme që të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë por edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër këtij rajoni. Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj dhe me publikun, keqardhjen që mes një darke me ne në Shqipëri dhe një darke në Mynih, ju zgjodhët ushqimin jo aq të shijshëm gjerman. Jemi shumë të nderuar sot nga vizita e sekretarit të shtetit dhe mund ta them pa asnjë zbukurim diplomatik, që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur dhe i thellë, niveli i mirëkuptimit mes nesh. Dua që publikisht ta falenderoj Sekretarin e Shtetit edhe për një mbështetje që flitet dhe shihet pak, por që është një mbështetje e vazhdueshme, e rëndësishme dhe e dobishme për ecurinë e Shqipërisë në BE. Ky është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne, nga gjykimi i aleatëve tanë në BE, por prej disa vitesh ne kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e SHBA. Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe të njëjtat shqetësime. Siç dihet, Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë për të gjithë rajonin, që rajoni i i tërë të shkojë përpara, sepse është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të këtij rajoni, me shtetet dhe vendet demokratike. SHAB kanë qenë, janë dhe do të mbeten të palëkundura në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe është mirë që shqiptarët kudo ku janë, sidomos ata në Kosovë, të mos e harrojnë që pa SHBA nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe Kosovë nuk është një interes i dorës së dytë. Dhe padiskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që bëhen hapa mbrapa dhe jemi të vetëdijshëm për vazhdimësinë e këtij dialogu, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që jetojnë sot në Kosovë, padyshim dhe për sulmin terrorist në Banjskë. Serbia nuk është se e ndihmon shumë procesin, por ne duhet të dimë se është në interesin tonë, të Kosovës që të përparojë uniterialisht me të gjitha ato kërkesa në tryezën e dialogut. Nuk janë kërkesa shtrënguese, por krijojnë një kontekst që e ngre lartë Republikën e Kosovës dhe që meriton të gjithë besimin dhe respektin e aleatëve tanë strategjikë. Unë dua ta përsëris apelin tim për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar me aleatët tanë strategjikë. Është në radhë të parë në interes të tyre dhe pastaj të aleancës tonë. Nga këto veprime mund të fitohen ca vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja. Dua ta falenderoj dhe publikisht Sekretarin e Shtetit, për çka në mënyrë të përsëritur kemi thënë me miqtë amerikanë, për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë, nga një vend që nuk ka pasur kurrë drejtësi dhe ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte standardi që i bënte qytetarët shqiptarët të besonin se asnjëherë s'do ishte e mundur që do bëhej drejtësi, duke na mundësuar që sot të shohim se edhe në Shqipëri njerëz të lidhur me pushtetin të thirren për të dhënë llogari për shkeljen e ligjit. Një gjë ne e dimë që sot, kur nisëm përpjekjen për Reformën në Drejtësi, ne morëm mbështetjen nga aleatët tanë. Edhe pyetjet dhe anketimeve që i bëheshin publikut, gjenim mbështetje masive. Nuk është sekret që këtu ne kemi problem të gjejmë konsensus dhe për të gjetur orën. Kemi një orë të djathtë, të majtë dhe një orë të qendrës. Jetojmë në një kohë që miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e kësaj miqësie, kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë, që dukej e palëvizshme për të gjithë brezat.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese