Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Bilanci parlamentar 2019-2021, faktet kritike, 82% e strukturës drejtuese dhe 68% deputetëve që nuk janë rizgjedhur

Shkruar nga Newsbomb
Bilanci parlamentar 2019-2021, faktet kritike, 82% e strukturës drejtuese

Legjislatura aktuale po mbyllet dhe ajo do të mbahet mend gjatë edhe për disa akte më rëndësi në historinë politike të vendit: ndryshimin e Kushtetutës më 2020, vendimin për shkarkimin e Presidentit më 2021, miratimin e dy ndërhyrjeve në legjislacionin zgjedhor më 2020, por edhe për mungesën e opozitës kryesore politike.

PD dhe LSI braktisën mandatet parlamentare në shkurt 2019, rreth 38 deputetë të listave shumëemërore refuzuan urdhrat kolektivë dhe morën mandatet, duke krijuar një opozitë formale në parlament. Legjislatura 2019-2021 kishte vetëm 122 nga 140 deputetë, nga të cilët, bazuar në monitorimin e Institutit të Studimeve Politike (ISP) rreth 80-85% e deputetëve u bënë votues të rregullt të çdo akti parlamentar e politik të qeverisë. Skandale që lidhen me nivelin e ulët të diskutimeve dhe të përfaqësimit ndikuan në uljen e besimit publik tek parlamenti dhe në pafuqinë e tij për të ushtruar me cilësi detyrimet kushtetuese në sistemin politik.

Parlamenti zyrtarisht thotë se legjislatura ishte histori suksesi, deputetët gjithashtu deklarojnë se e kanë kryer me sukses misionin e tyre, megjithatë të dhënat zyrtare të konfirmuara në zgjedhjet e 25 prillit tregojnë se vetëm 39 nga 122 deputetët arritën të rizgjidhen, pra 32% e tyre (të tjerët humbën ose dhanë dorëheqje para/pas procesit zgjedhor). Pjesa tjeter prej 68% e legjislaturës aktuale parlamentare nuk do jenë më deputetë në shtator kur nis legjislatura e re. Kuvendi ka disa botime me statistika dhe raporte që dëshmojnë sukseset dhe arritjet e kësaj legjislature, por burime të tjera si raportet periodike monitoruese të Institutit të Studimeve Politike (ISP) ofrojnë të dhëna alternative më realiste, më të faktuara dhe më transparente. Në funksion të transparencës dhe llogaridhënies, ka edhe disa tregues që mbeten domethënës në përcaktimin e bilancit pozitiv dhe negativ të një legjislature. Ja një prej tyre, që përdoret gjerësisht në studimet parlamentare: Pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi nga legjislatura e re parlamentare, Kuvendi aktual i riformatuar më 2019, hyn në rekordin e legjislaturave me nivelin më të ulët të rikonfirmimit në zgjedhje pavarësisht se u konfirmua e njëjta mazhorancë politike: vetëm 18% ose 7 nga 40 drejtuesit e strukturave të parlamentit aktual kanë arritur të rizgjidhen dhe do të jenë deputetë edhe në legjislaturën e re.

Konkretisht nuk do të jenë më deputetë kryetari dhe dy zv/kryetarët e Kuvendit (Ruçi, Hysi dhe Murrizi), 3 nga 4 kryetarët e grupeve parlamentare (Murrizi, Stojku dhe Musaj), 6 nga 8 kryetarët e komisioneve të përhershme në Kuvend (Angjeli, Hajdari, Kodheli, Gjuzi, Roshi dhe Beqja), 5 nga 6 kryetarët e nënkomisioneve parlamentare (Gjermeni, Hysi, Bushati, Hyseni dhe Shameti), asnjë nga 6 sekretarët e Kuvendit (Zeneli, Musaj, Baraj, Bello, Bushati dhe Angjeli), 7 nga 8 sekretarët e komisioneve të përhershme parlamentare (Ylli, Velaj, Gjebrea, Hysi, Kamani, Baraj dhe Bushati), si dhe 6 nga 8 zv/kryetaret e komisioneve te përhershme ne Kuvend (Mesi, Lita, Elezi, Jakini, Gjoni dhe Zeneli). Shtatë deputetët drejtues të konfirmuar në hierarkinë parlamentare të legjislaturës aktuale janë Manja (komisioni i ligjeve), Felaj (në dy pozita, komisioni i Sigurisë dhe nënkomisioni për vettingun), Spahiu (komisioni për shëndetësinë), Antoneta Dhima (komisioni i Sigurisë), Mirela Kumbaro (komisioni i medias dhe edukimit) dhe Taulant Balla (drejtues i grupit të PS-së).

Kjo legjislaturë mori vendimin për shkarkimin e Presidentit, por 10 nga 11 anëtarët e këtij komisioni nuk janë rizgjedhur më në parlament në zgjedhjet e 25 prillit (Hyseni, Murrizi, Hysi, Xhina, Braho, Jakini, Staka, Çaçani, Stojku dhe Bojaxhiu). Po ashtu, 6 nga 9 anëtarët e Komisionit të Posaëëm hetimor për çështjet e raportit të Dick Marty (Roshi, Hyseni, Shameti, Stojku, Murrizi dhe Xhina) nuk janë më deputetë. I njëjti raport kritik vlen edhe për anëtarët e komisionit hetimor 2019-2020 për Presidentin ku 7 nga 9 deputetë nuk u zgjodhën dhe nuk do të jenë më deputetë (Zeneli, Hysi, Hyseni, Alimadhi, Valteri dhe Rryçi, ndërkohë që deputeti Fino ka ndërruar jetë).

Së fundi, nga 20 deputetët më aktivë dhe më nivel të lartë efikasiteti në aktivitetin parlamentar (ISP, raporti i monitorimit 2020) 12 prej tyre nuk do të jenë më deputetë (Hajdari, Roshi, Murrizi, Dhimitri, Shameti, Sterjovski, Permeti, Hysi, Piciri, Gjebrea, Gjermeni, Baraj), ndërkohë që nga 20 deputetët me nivelin më të ulët të efikasitetit, pra në renditjen negative për aktivitetin parlamentar 2020, 5 prej tyre do të jenë përsëri deputetë (Rraja, Koka, Sterkaj, Çyrbja dhe Gjinkuri).

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll