Hapësire reklamuese

Politikë

Bie kulla e fundit, tashmë një “ERTV” edhe në Kuvend

Shkruar nga Newsbomb
Bie kulla e fundit, tashmë një “ERTV” edhe në Kuvend

Nga Esiona Konomi

Kuvendi ka vendosur që gazetarët të mos  hyjnë më në aktivitetet parlamentare duke filluar që nga muaji shtator.

Videot e mbledhjeve të komisioneve parlamentare do të regjistrohen nga vetë Kuvendi, dhe do të transmetohet të prodhuara prej tyre, ngjashëm si në ERTV-në që përdor kryeministri.

Kamerat e mediave nuk do të lejohen të hyjnë në sallat e mbledhjeve e as në korridoret e Kuvendit.

Gazetarët mund të hyjnë vetëm në një sallë të posacme për median, nga ku mund të ndjekin në ekran mbledhjet.

Gazetarët nuk do të lejohen të hyjnë në sallat e komisioneve për të parë me sy e për të dëgjuar me veshë cfarë ndodh: kush merr pjesë në mbledhje, a është kuorumi, si votojnë deputetët, si rrjedhin ngjarjet.

Gazetarët nuk mund të hyjnë në asnjë ambient të Kuvendit me përjashtim të kësaj sallës së posacme ku mund të shihen mbledhjet nga ekrane të vegjël.

Ne nuk do të mund të shkëmbejmë mendime me deputetët apo zyrtarët e tjerë mbi cështje politike apo legjislative.

Ne do të humbasim kontaktet tona duke na izoluar në një sallë bodrumi, duke i shpëtuar kështu vendimmarrësit nga bezditë që mund tu shkaktojnë kamerat apo mikrofonët tanë.

Na thuhet se nëse dëshirojmë intervista, ato do të koordinohen nga zyra e shtypit. Në fakt, intervistat më të mira janë ato që bëhen kur deputetët apo zyrtarët nuk duan të flasin.

Kjo është një cënsurë që po instalohet nga Kuvendi i Shqipërisë, si i vetmi vend ku ne mund të ushtrojmë procesin e llogaridhënies ndaj vendimmarrësve.

Ne nuk hyjmë dot në kryeministri, nuk ndjekim me kamerat tona aktivietet e ministrive e as të bashkive.

I vetmi vend ku vitet e fundit kemi pasur mundësi  të shohim gjërat me sytë tanë, dhe të drejtojmë pyetje me të cilat zyrtarët nuk duan të përballen, ka qenë Kuvendi.

Byroja e Kuvendit i ka marrë këto vendime pa asnjë konsulencë me asnjë gazetar që mbulon aktivitetin e këtij parlamenti.

Argumenti më i mirë i tyre është se kamerat e të gjithë televizioneve bezdisin deputetët të cilëve ju rrinë mbi kokë. Këtë mund ta kuptoj, dhe mund të negociohet kjo pikë.

Por gazetarët në sallën e mbledhjeve nuk i prishin punë kurrëkujt. Ne kemi karriget tona të rezervuara për publikun dhe mund të shohim me sytë tanë proceset.

Sikurndërse cdo gazetar i akredituar duhet të lëvizë lirshëm në cdo ambient të Kuvendit, dhe kamerat tona duhet të lejohet të na shoqërojnë lirshëm në cdo korridor, pranë të cilit mund të ketë zyrtarë të cilët ne mund t’i intervistojmë, duam apo nuk duan ata.

Unë mendoj se ende Kuvendi është në kohë për të reflektuar, dhe nuk është e nevojshme që të marrin vendime të rrezikshme dhe arbitrare, duke shfrytëzuar disa deputetë që janë në ditët e fundit të mandatit të tyre e në shtator nuk do të jenë më përfaqësues të sovranit.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll