Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka konfirmuar se në kërkesën që i’u është adresuar për buxhetin vjetor 2022 nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka edhe 200 milionë, të cilat konsiderohen për shtyrjen përpara të projekteve amerikane në Kosovë.
Në dokumentin e Justifikimit të Buxhetit të Kongresit për vitin 2022, thuhet se nëpërmjet zhvillimit të sektorit të gazit dhe burimeve të ripërtëritshme, do tentohet të lehtësohet mbështetja e kosovarëve në qymyr.
“MCC dhe Qeveria përfunduan studimet në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas rishikimit të rezultateve të studimeve, Qeveria kërkoi të shkojë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave të energjisë me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, lehtësimin e varësisë së Kosovës nga qymyri dhe arritjen e qëllimeve të dekarbonizimit”, shkruhet në dokument.
Ata i kanë parashikuar këto projekte si formë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Zbatimi i projekteve të MCC vjen si rezultat i marrëveshjes për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit gjithashtu ka thënë se shpreson për një bashkëpunim me qeverinë e re. Megjithatë, skepticizmi drejt një bashkëpunimi mes dy palëve mund të shtohet pasi që kryeministri Albin Kurti ka thënë më herët se s’do ta zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Nuk besoj që është menduar të implementohet, ka disa elemente pozitive, kështu duhet të shohim si grumbull pikash e jo marrëveshje merre ose lere”, ka thënë Kurti.