Hapësire reklamuese

Aktualitet

Biblioteka Kombëtare, dija e humbur në arka bananesh

Shkruar nga Newsbomb
Biblioteka Kombëtare, dija e humbur në arka bananesh

Nga Luela Myftari

Teatri i Operas dhe Baletit ishte insitucioni më i suksesshëm për vitin 2023, ndoshta jo vetëm falë kalendarit artistik,- që duhet thënë ishte një kalendar i mirë,- por edhe sepse është i vetmi vend që na ofron pak art.

Dy sallat e tjera të teatrove me kalendarë të rinj, me projekte të reja i ngjasuan shumë skenave teatrale eksperimentale. Sigurisht edhe aty ka pasur produksione të mira, veçoj këtu Festivalin e Teatrit Mbarëkombëtar, - edhe ky nuk kaloi pa akuza ndaj drejtorit Altin Basha që ndante një çmim për shfaqjen e vet dhe një tjetër për bashkëshorten, - dhe atë të të rinjve në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Mirëpo, gjithçka tjetër është shndërruar në një grahmë, që lëshon njeriu kur i vijnë një nga ato dhjetë milionë turistë, miq nga jashtë e që nuk di ku të përplasesh me to ditën e dytë. Biblioteka Kombëtare është në grahmën më të keqe të frymëmarrjes, të zihet fryma nga kuti bananesh shpërndarë ngado apo aromë gazetash që dikur i merrja erë me kënaqësi, por që bashkë lëshojnë duhmën e plumbit me të cilin janë shtypur.

Galeria Kombëtare e Arteve nuk ekziston prej gati tre vitesh, pa drejtues e me një ndërtesë të boshatisur nga veprat e artit; fëmijët e këtyre ditëve nuk kanë as teatër të kukullave dhe as një çadër cirku, sepse me cirkun ka ca vite që bëjnë cirk të gjithë pushtetarët e këtij vendi, që ngrenë çadra në shesh si konkurrentë. Muzeu Historik Kombëtar është plasaritur ngado, ndonëse i ndërruam ngjyrat e mozaikut, shoqëruar me debatin e yllit komunist, brenda ngrehina është një zonjë e plakur keq.

Të gjithë institucionet e plakura keqazi mbajnë erë të keqe, vdekja e një teatri akoma më shumë, por më shumë për mua kundërmon një shoqëri që nuk ka ku të shkojë, që kërkon qoshka arti po gjen motive tik-tok-u, që kërkon të pyesë për teatrin dhe përballet me fjalët: “Hë, se një dopolavoro ishte”, që kërkon çadër cirku, por ndjek me orë të tëra çadrat e opozitave në shesh, që kërkon fëmijët me tullumbacë festivë në rrugë, por gjen tullumbacët e mbushura me gaz, drogë e pasiguri. Si u shndërruam kështu? Si na shndërruan kështu?

ARKAT E BANANEVE, TË FAMSHME PËR DROGË E LIBRA

Dikur nga Partia Komnuniste jo pak libra, dhe jo pak grimca arti i konsideronte si opium për shpirtin e popullit. Sot, janë arkat e bananeve; të famshme për dy gjëra. Ato janë në media, ose lajmi i ditës kur kapet një kontenier me lëndë narkotike, ose imazhi i Bibliotekës Kombëtare. Si gazetare e kulturës dhe jo e kronikës së zezë, dua të ndalem tek e dyta, te arkat e bananeve në Biliotekën Kombëtare dhe përvojën venitëse të njerëzve si unë që hyjnë dhe nuk hyjnë në Bibliotekën Kombëtare.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e tridhjetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 shkurt dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese