Kreu i PD-së Lulzim Basha thekson se zgjidhja e vetme e krizës politike dhe mundësimit të çeljes së negociatave është plotësimi i 9 kushteve të vendosura nga Gjermania.
Kryeopozitari u bazua mbi fjalët e Kreut të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian David McAllister, i cili u shpreh se BE-ja duhet të kishte ndjekur shembullin e Gjermanisë për hapjen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
Hapja e negociatave është interesi më i madh i Shqipërisë sepse do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për ndarjen e politikës nga krimi, zgjedhje të lira dhe të ndershme, barazi para ligjit dhe fund pandëshkueshmërisë.
Rruga e vetme përpara është përmbushja e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. 9 kushtet e Bundestagut janë udhërrëfyesi i daljes nga kriza dhe i afrimit të Shqipërisë me BE.
Mirënjohje familjes tonë politike Partisë Popullore Europiane për mbështetjen që i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Çfarë deklaroi për Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut David McAllister?
Edhe nëse këto shtete do të ndaheshin, Presidenti Macron do të kishte akoma rezerva për Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk jam i sigurt nëse procedura e ndarjes do të ndihmojë. Sipas mendimit tim, zgjidhja më e mirë do të ishte një rrugë e ngjashme me rezolutën e miratuar nga Bundestagu gjerman