Edith Harxhi kandidate për kryetare të Partisë Demokratike, pak minuta më parë ka votuar në njësinë numër 5.
Në një deklaratë për mediat ajo u shpreh se të gjithë demokratet të marrin pjesë në votim, pasi vota e tyre është tepër e rëndësishme për ndryshimin e kësaj partie.
Harxhi gjithashtu i ka bërë thirrje Bashës pasi shumë anëtarë të PD janë penguar për të votuar me pretendimin se nuk kanë qenë aktivë në fushatë.
E pyetur nëse humbet këto zgjedhje a do të vijojë të jetë aktive në politikë, Harxhi tha se “beteja ime fillon sot”.
“PD është një aset, është një pasuri kombëtare, sot është dita e demokratëve, uroj shumë që të ketë një pjesëmarrje masive, pasi ne sot votojmë reformimin e PD-së. Absolutisht që mendoj se në radhë të parë do të fitojnë demokratët, jam e sigurt që vota e tyre do të jetë për ndryshimin.
Unë dua të bëj një thirrje për zotin Basha, demokratët duhet të jenë në lista, janë penguar themelues të PD-së që të votojnë, me pretendimin se nuk kanë qenë aktiv në fushatë. Kjo nuk është normale, ndryshimi ynë do të sjellë votën e hapur për të gjithë shqiptarët, beteja ime fillon sot. Absolutisht që unë do të vazhdoj aktive edhe pas 30 vitesh, ju thashë që beteja ime fillon sot”, tha ajo.