Të martën, 26 dhjetor, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet që të caktojë masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Në një bashkëbisedim me qytetarët ky i fundit u pyet ditën e sotme se kush do të drejtojë punën në selinë blu nëse Gjykata vendosë masën “arrest shtëpie” për të. Ish-kryeministri theksoi se pavarësisht çdo vendimi do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet që i takoi, por u shpreh se menaxhimin e punës do ta drejtojë një grup i strukturuar në Partinë Demokratike.
“Në këtë situatë PD-në do ta drejtojë Sali Berisha. Historia e arrestit të liderëve të opozitës nuk është e re diktaturat e kanë përsëritur. Natyrisht kryesia e ngushtë e saj janë organet që do të merren me drejtimin punëve të saj. Por kryetari kudo që të jetë do të përmbushë detyrimet e tij. E merrni një fakt të kryer për të cilin nuk ka nevojë të komentoj duke u bërë de fakto mbështetës të këtij akti. PD do të ecë drejt fitores dhe përmbysjes së diktaturës”, tha Berisha.
LEXO EDHE: “Fati” i tij në duart e Irena Gjokës, Berisha s’ndal sulmet ndaj gjyqtares
Ditën e nesërme, 26 dhjetor në orën 10:00, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vendosë nëse ndaj ish-kryeministrit do të jepet masa “arrest shtëpie”.
Kërkesa e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit u bë ditën e premte menjëherë pasi mori autorizimit nga Kuvendi, të cilët me 75 vota i hoqën imunitetin duke i hapur rrugë kërkesës së Prokurorisë. Më herët u bë me dije se SPAK i ka kërkuar GJKKO-së “arrest shtëpie” për ish-kryeministrit. Pritet që nesër ta pranojë këtë kërkesë, pasi më parë do të dëgjojë palët, prokurorët e SPAK dhe avokatët mbrojtës të Sali Berishës.