Hapësire reklamuese

Politikë

Berisha sot në SPAK, çfarë parashikon ligji nëse ish-kryeministri nuk paraqitet

Shkruar nga Newsbomb
Berisha sot në SPAK, çfarë parashikon ligji nëse

GJKKO i ka kërkuar Sali Berishës që të paraqitet këtë të hënë përpara autoriteteve.

Për shkak të masës “Detyrim paraqitje”, ish-kryeministri duhet të shkojë para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë.

“Ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet në Gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, nga ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqsore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njoftoi GJKKO pak kohë më parë.

Pikëpyetja e madhe është nëse Berisha "do të bindet” pasi shpesh herë në deklarata publike është shprehur se nuk e njeh vendimin e e Gjykatës së Posaçme, duke e konsiderur antikushtetues.

Por çfarë ndodh nëse Berisha nuk do të paraqitet sot përpara policisë gjyqësore dhe çfarë parashikon ligji në këtë rast?

Neni 231 i Kodit të Procedurës Penale thotë shprehimisht se në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë.

“1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, ligji thotë qartë se kush është mbi 70 vjeç, nuk mund të vendoset masë sigurimi “Arrest në burg”.

“Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm,” theksohet në nenin 230, pika 2.

Për shkak të moshës së Berishës masa më e ashpër që mund të jepet është “Arrest në shtëpi”.

Sali Berisha është vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë. Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi ranë në pranga për të njëjtën çështje, por për ish kryeministrit nuk u mor e njëjta masë.

Shkak për këtë gjë është bërë mosha e thyer e Berishës, i cili një muaj më parë festoi ditëlindjen e 79-të. Si dhe pasaporta e ish-kryeministrit është bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, duke i hequr atij mundësinë për t’u larguar jashtë vendit.

Ai është një ndër zyrtarët më të lartë të shtetit për të cilin kërkohet një masë sigurimi, duke u bërë i pari ish-president i Republikës që ka hesape të hapura me drejtësinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese