Hapësire reklamuese

Politikë

Berisha "përçan" deputetët demokratë, Shehu e Nallbati përplasen në mbledhje

Shkruar nga Newsbomb
Berisha "përçan" deputetët demokratë, Shehu e

Deputetët demokratë Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati kanë debatuar me njëri-tjetrin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, teksa diskutonin për vijimin e aksionit opozitar dhe negociatat me mazhorancën për rikthimin e normalitetit në jetën parlamentare.

Shehu ka thënë se "lëshimi" i dy komisioneve nga ana e mazhorancës nuk ka rëndësi nëse nuk lirohet Sali Berisha, ndaj ai ka kërkuar që aksioni opozitar të vazhdojë.

"Aksioni opozitar të vijojë dhe po na plotësuan kërkesat. Duhet të kërkojmë lirimin e Sali Berishës. Ne duhet të shpëtojmë Sali Berishën dhe për këtë duhet të vazhdojmë aksionin opozitar. S’kanë fare rëndësi këto që marrim (komisionet hetimore)", është shprehur Tritan Shehu.

Mirëpo, kjo deklaratë e tij nuk i ka pëlqyer kolegut tjetër demokrat Bledion Nallbati, i cili është angazhuar fort në aksionet opozitare dhe madje është penalizuar me përjashtim nga kuvendi e komisionet, për veprimet e tij.

"Shumë dakord me Tritanin, të vazhdojmë aksionin, por me një kusht që ti të jesh në ballë. Ik more, ti nuk ke bërë asgjë në Kuvend dhe flet këtu për aksionin", i është përgjigjur Bledion Nalllbati, duke bërë që mes të dyve trë niste një debat verbal.

"Mos më fol mua ashtu", ka thënë Tritan Shehu dhe në momentet e tensionit mes tyre Nallbati ka dalë jashtë sallës me Flamur Nokën, për të zbutur tensionet. Ky debat ka treguar sesa i brishtë është bashkimi i demokratëve, me Sali Berishën që edhe përse jo i pranishëm ka "përçarë" demokratët.

Ndërkohë, për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, deputeti Tritan Shehu ka thënë se dy komisionet që ka pranuar të lëshojë mazhoranca nuk janë suksese, nëse Sali Berisha qëndron i izoluar.

"Unë kam thënë edhe nëse jepen komisionet, nuk janë suksese. Por ama mos mendojmë se nëse marrim 2 komisione do kemi sukses. Ne suksesin nuk e kemi me Ramën, por ndaj elektoratit tonë. Gjendja është përkeqësuar me burgosjen e Berishës. Mund të ketë alternativa, fantazi. Por ama mos mendojmë se nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Suksesin nuk e kemi me PS-më por me elektoratin tonë, kur ne na përkrahin ashtu si në protestë", ka thënë ai.

Komisionet të cilave u referohet Tritan Shehu, është pranuar t'i jepen opozitës por me kushtin që bashkë me mazhorancën të dakordësohet objekti i tyre. Siç është vendosur në Konferencën e Kryetarëve këtë të martë, dy komisionet hetimore parlamentare do të jenë ai për ndërhyrjet në sistemin TIMS dhe koncesionet.

"Realisht duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është më tragjike. Izolimi politik i kryetarit të partisë. Ky aksion duhet bërë brenda dhe jashtë parlamentit. Unë nuk thashë as kaos, as bllokim, duhet koncentrim për të kundërshtuar burgosjen e kryetarit të partisë. Kështu do të vepronte çdo parti. Kjo është kauza jonë", ka përmbyllur Tritan Shehu, deputet i PD.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese