Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama si shkatërrues i tre televizioneve të mëdha në vend.
Nisur nga sulmi ndaj Resortit Prestige, që është në pronësi të grupit mediatik “Focus Group”, Berisha tha se Rama mbylli pak kohë më parë edhe një televizion tjetër, “Ora News”.
Por Berisha nuk është ndalur këtu me akuzat e tij, ai tha se është Edi Rama ai i cili ka angazhuar biznesmenin kosovar Shkëlqim Devolli, president i Devolli Group për të blerë televizionin “Abc News” në Shqipëri.
Berisha tha se e paralajmëron pronarin e ri të ABC News, që të mos e shndërrojë televizionin në “autoparlant të Edi Ramës”.
“Një media tjetër ka angazhuar një biznesmen dhe e ka blerë. S’kam kunërshtim. Mua më vjen veç se mirë që bizneset e Kosovës të shtrihen në Shqipëri. Por një paralajmërim do ia bëj. Nëqoftë se e shndërron në autoparlant, apo nëse e ke blerë atë media me qëllim që ta shndërrosh në autoparlant të Edi Ramës, atëherë bën një gabim shumë të madh, pasi për ne, liria e fjalës është themelore”, deklaroi Berisha.