Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të demokratëve ka bërë me dije se ditën e enjte do të ketë sërish protestë.
Ai tha se të gjithë demokratët nga e gjithë Shqipëria, të bashkuar do të jenë para ambienteve të Parlamentit, që sipas tij do të shënojë një betejë pa kthim.
Kujtojmë se ditën e hënë, dje 18 dhjetor Këshilli i Mandateve votoi në mënyrë unanime për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit, për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie ose arrest me burg.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ne do të mbrojmë vlerat, parimet nga një sulm antikushtetues, brutal i Edi Ramës dhe lakejve të tij. U diskutua gjerësisht mbi qëndrimet që do të mbahen ndaj këtij regjimi dhe ju garantoj se do të jenë vetëm përballje, përballje.
Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të konsolidojë këtë regjim antidemokratik, diktatorial, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Diskutimet ishin të gjera. Të shumta. Zoti Bardhi do të ju njohë ju me më hollësi për vendimet që u morën, parimet që do të bazohet qëndimi ynë.
Pyetje: O sot o kurrë, por deputetët që mbështesin Gazment Bardhi dhe ai vetë nuk ishin në protestën tuaj.
Sali Berisha: A jemi sot apo dje?
Pyetje: A i mbështesin ata protestat?
Sali Berisha: Ditën e enjte Shqipëria është para parlamentit. Të bashkuar absolutisht. Ditën e enjte është para parlamentit, Tirana dhe Shqipëria.
Pyetje: Pas ditës së enjte çfarë do të ndodhë?
Sali Berisha: Betejë pa kthim, betejë pa kthim.