Hapësire reklamuese

Politikë

Berisha “non grata”, ambasadorja franceze: Jemi solidarë me SHBA, respektojmë qëndrimin e tyre

Shkruar nga Newsbomb
Berisha “non grata”, ambasadorja franceze: Jemi solidarë me

“Franca do të rreshtohet gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ky është qëndrimi i ambasadores së Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq, e pyetur me qëndrimin që mban shteti që ajo përfaqëson në lidhje me shpalljen “non grata” të Sali Berishës.

Në një intervistë me gazetarin Endri Xhafo në “Abc News”, ambasadorja franceze theksoi se Franca është aleati më i mirë i SHBA dhe se respekton mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë.

“Franca është solidare me Shtetet e Bashkuara. Gjithmonë! Ne themi gjithmonë në lidhje me Shteteve të Bashkuara se “ne jemi aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara”. Pikëspari sepse në planin e mbrojtjes, nëse ka një vend që nuk ka rreshtur së financuari mbrojtjen, është pikërisht Franca. Buxhetet tona të mbrojtjes janë konsistente. Mos harrojmë se në nivel kombëtar kemi marinën e dytë më të madhe në NATO, pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë, ne e respektojmë.” u shpreh ambasadorja.

Megjithatë për sa i përket konkretisht Francës si shtet, zonja Barsacq u shpreh se Franca vëzhgon dhe më pas del në konstatime konkretet për persona të përveçë.

“Çështja nuk shtrohet ekzaktësisht në këto terma për Francën. Franca konstaton. Shikoni, një ambasadë e Francës në punën e saj ka dy aspekte: Eshtë ajo që do ta quaja “institut kërkimor” në lidhje me vendin pritës dhe, nga ana tjetër, mbajtja gjallë e marrëdhënieve dypalëshe. Për pjesën “institut kërkimor” do të thoja se jemi më së shumti shkencëtarë që po bëjnë konstatime, pra marrim mikroskopin dhe shohim si funksionojnë mikrobet në atë pllakën e qelqtë poshtë mikroskopit. Kjo është. Dhe në këtë pikë nuk ka pse të jemi të bezdisur, as pse të jemi “pro”, apo “kundër”… Nuk pozicionohemi në këtë mënyrë,” theksoi ambasadorja.

Ambasadorja u pyet nëse drejtësia shqiptare duhet të nis një hetim për ish-kryeministrin Berisha lidhur me shpalljen e tij “non grata” dhe akuzat për korrupsion. Ajo u përgjigj shkurtimisht duke thënë se

kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët.

“Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj ç’bëjnë shqiptarët.”

Pjesë nga Intervista:

Lëmë politikën franceze dhe flasim pak për politikën shqiptare, nëse jeni dakord…

Elisabeth BARSACQ – Oh (qesh). Politikë jashtëzakonisht e komplikuar, që duhet kuptuar…

Një pyetje shumë direkte: A bezdiset Franca nga fakti që Partia Demokratike shqiptare drejtohet aktualisht nga zoti Berisha?

Elisabeth BARSACQ – Çështja nuk shtrohet ekzaktësisht në këto terma për Francën. Franca konstaton. Shikoni, një ambasadë e Francës në punën e saj ka dy aspekte: Eshtë ajo që do ta quaja “institut kërkimor” në lidhje me vendin pritës dhe, nga ana tjetër, mbajtja gjallë e marrëdhënieve dypalëshe. Për pjesën “institut kërkimor” do të thoja se jemi më së shumti shkencëtarë që po bëjnë konstatime, pra marrim mikroskopin dhe shohim si funksionojnë mikrobet në atë pllakën e qelqtë poshtë mikroskopit. Kjo është. Dhe në këtë pikë nuk ka pse të jemi të bezdisur, as pse të jemi “pro”, apo “kundër”… Nuk pozicionohemi në këtë mënyrë.

Po e riformuloj pyetjen: A do të rreshtohet Franca me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara në raport me zotin Berisha?

Elisabeth BARSACQ – Franca është solidare me Shtetet e Bashkuara. Gjithmonë! Ne themi gjithmonë në lidhje me Shteteve të Bashkuara se “ne jemi aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara”. Pikëspari sepse në planin e mbrojtjes, nëse ka një vend që nuk ka rreshtur së financuari mbrojtjen, është pikërisht Franca. Buxhetet tona të mbrojtjes janë konsistente. Mos harrojmë se në nivel kombëtar kemi marinën e dytë më të madhe në NATO, pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë, ne e respektojmë.

OK, atëherë po shkoj direkt: A e keni ftuar zotin Berisha në festimet e 14 korrikut (festa kombëtare e Franës)?

Elisabeth BARSACQ – Ne nuk ftojmë persona që janë objekt, – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin në fjalë, – por ne nuk ftojmë persona që janë objekt i një situate të veçantë përkundrejt Shteteve të Bashkuara, domethënë, pa akses në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Fakti që zoti Berisha është përcaktuar “non grata” nga Shtetet e Bashkuara është një problem personal për të, një problem politik për PD, një problem politik për Shqipërinë, apo edhe një shenjë “korrupsioni madhor” që autoritetet e drejtësisë së re shqiptare duhet ta hetojnë dhe, nëse mundet, ta dënojnë?

Elisabeth BARSACQ – Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët. Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj ç’bëjnë shqiptarët.

Ç’mendim keni për kolegët tuaj që i përgjigjen kësaj pyetje?

Elisabeth BARSACQ – Më falni?

Ç’mendim keni për kolegët tuaj që përgjigjen, që zgjedhin t’i përgjigjen kësaj pyetje?

Elisabeth BARSACQ – Janë të lirë. (Qesh) E keni parasysh që slogani i Republikës është “Liri, barazi, vëllazëri”. Kështu që…

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll