Kryetari i PD-së, Sali Berisha nuk i ka ndalur kritikat dhe akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama.
Duke folur para mbështetësve të tij, Berisha nuk ka kursyer as analistët, të cilët sipas tij shkojnë nga studio në studio duke mbrojtur vjedhjen e kryehajdutit, Edi Rama dhe duke bërë hajdutërinë e krimit.
"Kjo rreze nxjerr në dritën e diellit para shqiptarëve, të gjithë shëmtinë e narkodiktatorit, regjimit të tij diktatorial, shëmtinë e instrumenteve të tij të krimit, Skapit dhe organeve të tjerë. Shëmtinë e lakejve që kalojnë nga një studio në tjetër, duke bërë avokatinë e krimit.
Amerikanizmi i tyre është për të vjedhur, për të bërë trafiqe droge. Këta janë llumi i shoqërisë shqiptare, këta nuk kanë asnjë vlerë. Ja ku jeni tani, ja ku e keni idhullin tuaj, kryehajdut të Shqipërisë, ja ku e keni kryetar të skandalit më të madh të shekullit. Ja ku e keni, të denoncuar nga drejtësia e mbarë botës.
Ndaj edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufishme në Rrugën e Shpresës, ringjallët pluralizmin, ringjallët forcën, ringjallët besimin e shqiptarëve. " tha Berisha.
Kujtojmë se 1 ditë para ndërrimit të viteve ish-kryeministrit iu dha masa “arrest shtëpie” si dhe iu caktua të komunikojë vetëm me bashkëshorten e tij, Lirie Berisha dhe me asnjë person tjetër.
Mirëpo, këto masa nuk i kanë ndaluar demokratët që t’i tregojnë mbështetjen e tyre Berishës. Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhej ndër të tjera në vendimin e GJKKO-së më 30 dhjetor 2023.