Hapësire reklamuese

Politikë

Berisha nga dritarja: Lufta e kombit ukrainas është shpëtimtare për Europën

Shkruar nga Newsbomb
Berisha nga dritarja: Lufta e kombit ukrainas është shpëtimtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nisje të fjalës së tij në tubimin qytetar, foli për 2 vjetorin e luftës së kombit të Ukrainës, kundër Putinit. Sipas Berishës, kjo është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës.

Sakaq, Berisha i është rikthyer sërish vendimit të Gjykatës së Lartë kundër gazetarit Elton Qyno, dhe që i jep të drejtë SPAK që të detyrojë median për të zbuluar burimet e tyre. Sipas Berishës, Rama u ka vërsulur gjykatësve Altin Dumanin, që ata të ndryshonin vendimin e marrë.

Në fjalën e tij në tubimin qytetar, Berisha ka paralajmëruar se shumë shpejt shqiptarët do të marrin vesh se kush e kryeson gjykatën speciale. Berisha deklaroi se, shqiptarët do të marrin vesh se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka.

FJALA E PLOTE:

Të dashur misionare dhe misionarë, qëndrestare dhe qëndrestare të lirisë, shpresës, dinjitetit njerëzor dhe të ardhmes sonë.

Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për betejën tuaj kundër një pushtimi të brendshëm barbar, e cila siç u shpreh me të drejtë parafolësja, do një Shqipëri pa shqiptarë.

Ju, po qëndroni çdo ditë kundër këtij regjimi, i cili ka mbuluar Shqipërinë me korrupsion.

I cili dhunon çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.

I cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë dhe i largon ata nga Shqipëria.

Miqtë e mi!

Sot bëhen dy vite për mbarë Europën dhe botën, njerëzit e lirë, është një ditë e veçantë.

Dy vite nga dita kur diktatori rus, në një paranojë hitleriane, sulmoi vendin fqinj me qindra mijëra tanke, avionë, duke besuar se me një Blitzkrieg, njëlloj si Hitleri në Luftën e Dytë Botërore do lante duart shpejt e shpejt me Ukrainën dhe do u përvishej vendeve të tjera të lira të Europës.

Por, falë qëndresës, heroizmit legjendar të luftëtarëve të lirisë të kombit ukrainas, presidentit të nderuar Zelensky, ata që parashikuan disfatën apo mposhtjen e Ukrainës brenda javës, morët në fushat dhe malet e saj disfatën historike.

Autokolonat e tankeve dhe blindave, skuadrat vdekjendjellëse të aviacionit u asgjësuan.

Kombi ukrainas qëndroi për dheun e vet. Por qëndroi për të gjithë vendet e lira në Europë dhe në botë.

Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën. Është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës.

PD denoncoi që ditën e parë me forcën më të madhe agresionin barbar të Vladimir Putinit kundër Ukrainës.

Por PD denoncoi me forcë të madhe qëndrimet e dyfishta të argatit të Beogradit në Tiranë ndaj kësaj lufte.

Edi Rama nuk iu përgjigj që në fillim sanksioneve të NATO-s dhe BE ndaj Rusisë së Putinit.

Përkundrazi, ai hapi portet për mallrat dhe kontrabandën ruse.

Përkundrazi, ai hapi plazhet për barbarët ruse, që pasi kryenin kasaphanë ndaj qytetarëve të Ukrainës, vinin në plazhet e Edi Ramës për të rimarrë forcat.

Miqtë e mi!

PD denoncoi me forcën më të madhe fushatën anti-NATO, anti-Shqipëri të Edi Ramës, në mbrojtje të padronit të tij Vuçiç, i cili kalonte nga samiti në samit me tezën se Serbia më mirë të mos zbatojë sanksionet.

Me tezën se nuk duhet të rënë në qafë Serbisë për të zbatuar sanksionet e Rusisë.

Me tezën se Serbia është më mirë Rusi e vogël, një rrezik madhor për paqen, vetëm e vetëm se ishte vasal, argat i shpifur i serbomadhit Vuçiç.

PD, sipas parti e vokacionit perëndimor, pa diskutim ka një nga meritat më të mëdha në histori, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ishte aleanca e Atlantikut të Veriut, që i imponoi Edi Ramës të marrë kthesën, se përndryshe do përballej me pasojat më të rënda.

Ndaj dhe ky i pakarakter, argat i Vuçiçit, e qepi gojën, e mbylli gojën, hoqi dorë nga lobimi për Beogradin.

Dhe kjo është meritë e madhe e NATO-s.

Por kjo është gjithashtu meritë e PD, që rreshtoi Shqipërinë në aleancën e Atlantikut të Veriut.

Duke u përulur me nderimin më të madh para heroizmit, sakrificës së qindra mijëra luftëtarëve të Ukrainës, qytetarëve të saj, duke shprehur besimin se kjo luftë nuk do fitohet kurrë nga Putini, nga barbarët, PD garanton popullin e Ukrainës dhe qeverinë e tij se do mbështesë me gjithë fuqinë luftën e tyre të drejtë dhe se në Shqipëri, do të luftojë me vendosmërinë më të madhe ndaj çdo korenti, çdo përpjekje, çdo tendence pro-ruse nga cilido.

Të dashur miq!

Edi Rama ka krijuar, ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij.

Me një pengmarrje të pashembullt të institucioneve.

Dje, Gjykata e Lartë, në kundërshtim flagrant me vendimin e para një viti, vendosi të detyrojë gazetarët të zbulojnë burimin e informacionit, në një akt shkelje flagrante të lirisë së shprehjes.

Po këta gjykatës, miqtë e mi, një vit më parë, pas vendimit të Strasburgut për Lapsin, kishin vendosur po këta, se gazetarëve nuk mund t’u kërkohen burimet e informacionit.

Çfarë ndodhi? Edi Rama përdori pengmarrjen.

Edi Rama, siç shkruajnë mediat sot, vërsuli Dumanin kundër tyre.

Dhe Dumani i kërcënoi ata për krimin e tij të shëmtuar, sepse dosjen e Nuredin Dumanit e ka shitur Skapi i partisë nga sirtarët e Altin Dumanit.

Por miqtë e mi, vendimi i gjykatës është një goditje vdekjeprurëse për informacionin e lirë, për mendimin e lirë në Shqipëri.

Shënon aktin, përshkallëzimin më dramatik në dhunimin e lirive të shqiptarëve.

Ndaj dhe bëhet çdo ditë më imperative përballja me diktaturën. Me narkoregjimin.

Sot kemi përpara Edi Ramën, kreun e krimit të organizuar, kreun e korrupsionit qeveritar, kreun e dhunës mbi opozitën, dhe veglat e tij, një llum njerëzor në gjykata, prokurori, Skap e me radhë.

Urdhëroni, një vit më parë vendosin se gazetarëve nuk mund t’u kërkohet burimi.

Pas një viti, nën hanxharë, vendosin të kundërtën.

Shikoni gjykatën e Edi Ramës, prokurorinë e partisë, këta janë rrezik për çdo qytetar, janë rrezik për mbarë Shqipërinë.

Sot përpara ne kemi murin e tmerrshëm të korrupsionit që përzë shqiptarët çdo ditë.

Edi Rama, me të gjithë fuqinë e ekzekutivit, firmos dhe vjedh qindra milionë e miliarda dhe mbrohet nga Skapi i partisë.

Çdo ditë që kalon në pushtet është ndëshkim për shqiptarët, është ndëshkim për Shqipërinë.

Të dashur miq!

Sot kemi përpara suitën e lakejve, puthadorëve, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë trumbetojnë një Shqipëri pa opozitë.

Sulmojnë një Shqipëri pa opozitë.

Nga mëngjesi gjer në darkë i thurin lavde dhe himne kreut të krimit të organizuar.

Sulmojnë opozitën, përpjekjet e saj, vetëm e vetëm të realizojnë ëndrrën e Edi Ramës, të Shqipërisë pa opozitë.

Por ata të cilët predikojnë, mbrojnë tezën e Shqipërisë pa opozitë, ata që besojnë se përdorin studiot, përdorin penën si hanxhar mbi opozitën, ata janë llumi i shoqërisë njerëzore.

Ata janë turpi i njeriut, ata janë qenie të zhveshura nga çdo dinjitet, janë skllevër të krimit, të vjedhjeve.

Opozitën, asgjë nuk e mposht.

Sot ajo është më afër se kurrë, më e fortë se kurrë, më e sigurt se kurrë, më besimplotë se kurrë në fitoren e saj.

Ndaj dhe të vazhdojmë ne betejën pa kthim, mosbindjen civile pa kthim.

Ndaj kësaj diktature të bazuar në aleancën me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve; ndaj këtij regjimi që bën gjithçka për një Shqipëri pa opozitë; ndaj këtyre lakejve, puthadorëve që nga mëngjesi gjer në darkë sulmojnë opozitën në emër të Shqipërisë pa opozitë; ndaj hanxharëve të krimit në drejtësinë e turpit, drejtësinë e turpit dhe njëherë, e qenieve të shpërfytyruara, e qenieve të degraduara nga ryshfetet dhe pengmarrja.

Do merrni vesh se kush kryeson gjykatën speciale.

Do merrni vesh shpejt se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka.

Se ç’përfaqëson Dumani-Kraja.

Se ç’përfaqëson Sadush e kompani.

Miqtë e mi!

Beteja çdo ditë bëhet më jetike.

Çdo ditë bëhet më epike.

Çdo ditë që shkon, ecim më të sigurt drejt fitores.

Ndaj dhe duke u përshëndetur ju me përzemërsi, do t’i çoj një mesazh prapë Edvin Surrelit.

Të më falin banorët e Surrelit, se me aktin e parë do i shpëtojmë edhe ata prej atij banori që nuk është vetëm e keqja e Surrelit, është e keqja e Tiranës, është e keqja e Shqipërisë, është e keqja e shqiptarëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese