Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si ideatorin e sulmit ndaj tij ditën e sotme në protestën e PD.
Berisha tha se autori që e qëlloi me grusht në fytyrë, 31-vjeçari Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, që është përdorur për rrjetet e trafikantëve të drogës dhe midis besimtarëve myslimanë.
Sipas Berishës, 31-vjeçari që vuan nga probleme mendore, ishte personi i duhur për t’u përdorur nga qeveria, në sulmin ndaj tij.
Në një deklaratë për media nga selia e PD, Berisha hodhi dyshime mbi shkresën që u publikua në media, dhe ku thuhet se Gerti Shehu vuan nga probleme mendore. Sipas tij, kjo shkresë ishte bërë gati nga zyra e kryeministrit për t’u publikuar menjëherë pas ngjarjes.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Siç u pa, ishte një akt agresiv, kriminal i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Por ajo që është më flagrante, personi është agjent i policisë kriminale. Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale, kontigjent, siç futen me doza të vogla. Problem me disa çrregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, tregon se çdo gjë është e përgatitur. Fakti që e kishin gati shkresën për t’ua dhënë mediave. Edi Rama, duke dashur të paraqesë veten dorë jashtë, tregoi se është 100% duar brenda. Këtu thuhet, vërtetim mjekësor për t’u përdorur kudo që t’i nevojitet. Por ky vërtetim mjekësor nuk ka asnjë datë. Ai që e lexon këtë thotë se ky mund të jetë i vitit 2018, pasi thotë u paraqit në klinikën tonë në janar të 018-ës, por thotë gjithashtu se episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike. Kjo nuk dëshmon asgjë tjetër përveç faktit që qeveria e kishte bërë gati, për të justifikuar veprimin e një agjenti kriminal të përdorur nga Çuçi i familjes.