Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë ku është shprehur se beteja e nisur në parlament si asnjëherë tjetër në këto 32 vite, ka të bëjë me sovranitetin e popullit.
Sipas Berishës sovraniteti është vetëm një, dhe është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre.
Gjatë fjalës së tij ai kërkoi mosbindje civile nga kryetarët e degëve, ku tha se ata, Berisha dhe grupi parlamentar po bëjnë punën në Kuvend, ndërsa krerët e degëve te studiojnë pikat nevralgjike dhe të veprojnë.
“Beteja që bëhet në parlament, duhet të zhvillohet dhe mund të zhvillohet në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi, të këtij vendi. Qëndrimit të tij antikushtetues duhet t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Protestën e zakonshme do e kishte kënaqësi, se është sadist, por ne duhet të heqim dorë nga protestat e zakonshme,’’- tha Berisha.
Ai shtoi se protestat e opozitës duhet ta bllokojnë regjimin e Ramës, i cili nuk nguron të shfaqë të gjitha llojet e armiqësive.
“A do pranojmë ne të mashtrojmë shqiptarët? Jo. Unë e kuptoj se zgjedhjet që kaluan kishin një seri dobësish dhe të metash. Por këto nuk e justifikojnë kurrë që Bajrët, Pëllumb Gjokat, etj të votojnë votat tona. Dita e zgjedhjeve është për votim, nuk është për konflikt, nuk është për armë. Jo. Koha para tyre është për betejë, për betejë pa kthim. Dhe ne me Edi Ramën nuk kemi zgjedhje,’’ – tha kreu i Rithemelimit.
Ftesa e Berishës ishte për çdo drejtues dege dhe anëtar, simpatizant për të mos u bindur dhe të bëjnë gjithçka për të angazhuar anëtarësinë, mbështetësit, të rinjtë në veprim pa kthim, në betejë pa kthim.
‘’Ne po bëjmë një luftë për idealet tona, po bëjmë një luftë jo për PD-në, po bëjmë një luftë për Shqipërinë, për pluralizmin politik, për shoqërinë shqiptare. Ky do jetë edhe lajtmotivi i Kuvendit,’’ - u shpreh Berisha.