
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur lidhur me zhvillimet e fundit si dhe me arrestimet e bëra nga SPAK, ku disa ditë më parë u arrestua edhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, pasi akuzohet si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu, ish-kryeministri ka hedhur akuza të forta edhe për gazetarin Artan Hoxha, për të cilin është shprehur se është anëtar i “bandës së Bajrave”.
“Së treti, se kam dëgjuar unë, dhe dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet. Unë nuk kam asnjë dijeni. Po i them anëtarit të bandës Bajri, mirë është të shkojë dhe të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë. Se ato nuk e shpëtojnë. Se ai është anëtar i paguar i bandës së Bajrit, me dokumente. Me dokumente!” tha Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët.
Ky sulm ndaj gazetarit ka ardhur pasi ky i fundit ditën e djeshme tha se ish-kryeministri Berisha nuk po flet lidhur me aksionin e fundit të SPAK, pasi i druhet një goditje të drejtësisë ndaj një personi shumë afër tij.
Artan Hoxha përmendi gjithashtu edhe një kullë dhjetëra milionë euro, e cila po ndërtohet tek zona e njohur si ish Ekspozita, ku sipas gazetarit po investohen paratë e narkotrafikut.
“ Nëse e ke vënë re, Berisha flet çdo ditë për operacionin e parë të SPAK-ut për çështjen Metamorfoza, por nuk përmend këtë të dytin. Nuk e ka përdorur as pro dhe as kundër. Ai ka nuhatur që ky operacion mund të godasë njerëz shumë të afërt të tij.Lidhet me investimet nga paratë e narkotrafikut në një kompleks shumë luksoz, që shkon te 75 milionë euro. Aty diskutohen… Është kullë me arkitekturë shumë interesante, nga ato me pemë si në Milano, arkitekturë futuriste…. Ka patur problem në fillim për zbatuesit, por pallati është në karabina. Bëhet fjalë në krahun e djathtë të rrjedhës së Lanës, te ish ekspozita. Berisha nuk po e përdor politikisht këtë histori”, tha Hoxha më herët.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Së pari, Erzen Breçani të garantoj se nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, badigard i Sali Berishës dhe kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrime. Nuk ka qenë jo se Sali Berisha ka pasur vërejtje për të, ai ka qenë një polic gjerësisht i vlerësuar në kryerjen e deyrës në të gjitha postet që ka pasur.
Kështu që t’i themi ato siç janë. Së dyti, për Erzen Breçanin dhe për çdo njeri tjetër, Sali Berisha ka vetëm një qëndrim, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.
Kushdo që ka shkelur ligjin, duhet të bëhet përgjegjës para ligjit. Së treti, se kam dëgjuar unë, dhe dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet. Unë nuk kam asnjë dijeni.
Po i them anëtarit të bandës Bajri, mirë është të shkojë dhe të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë. Se ato nuk e shpëtojnë. Se ai është anëtar i paguar i bandës së Bajrit, me dokumente. Me dokumente!
Siç e kam akuzuar atë unë njëherë për hjekës në vrasje, se është vrarë djali 24-vjeçar në Zemblak, vetëm e vetëm pse denoncoi te ai, i keqpërdorur nga policia dhe të gjitha anët, denoncoi parcelat e drogës të oficerëve të policisë në Korçë dhe mori plumb pas koke në Zemblak 24-vjeçari.
Tani i them atij, avash avash, duhet të marrësh atë që do marrin Bajrët me shokë. Duhet t’ia them këtu, sepse kur Bajrët ulën në studiot televizive, bashkë me ju, dhe u kapardisën si njerëz me njohuri të thella, për faktin e vetëm se janë anëtarë të bandave më të rrezikshme, ata e meritojnë të shkojnë atje ku e kanë vendin dhe jo në studiot televizive.
E them këtë në emër të interesit publik, për të tjerat do njiheni më vonë. Në fund, çdo njeri që shkel ligjin, duhet të marrë atë që meriton. Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër, pavarësisht se kush është.
Nuk gjen kush kurrë një njeri që të kem mbrojtur një shkelës ligji. Asnjëherë!