
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për sukses të aksionit opozitar, kur seanca e sotme plenare është mbyllur pas rreth 10 minutash dhe Buxheti i Shtetit ka kaluar me 83 vota pro. Sipas tij, socialistët votuan në tmerr dhe frikë për vjedhjen e tyre.
"Kjo dëshmon dhe një herë drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një tjetër fitore, mbasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin më të madh të vjedhjes në histori.
Ne po zhvillojmë betejë pa kthim në Parlament, sepse ka një mbështetje të gjerë në popull për betejën që ne po bëjmë", u shpreh ish-kryeministri për mediat, jashtë sallës së Kuvendit.
Lexo edhe: Kuvendi mbyllet me kaos, demokratët u vënë flakën karrigeve
Më tej, ai tha se me urdhër të Edi Ramës deputetët socialistë kanë miratuar dhe kaluar Buxhetin e Shtetit nëpër mbledhje në aplikacionin online "zoom", një ndër aktet më themelore dhe më të rëndësishme vjetore të Kuvendit.
"Ju e patë vetë sesi banorët e fermës së Edi Ramës kaluan brenda 5 minutave, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antiligjore. Ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e normave dhe rregulloreve, por si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.
Ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në Parlament, por ata e kaluan brenda 7 minutave në frikë dhe tmerr. Nuk ka asnjë lloj evidence as për votimin dhe as për asgjë tjetër", përmbylli Sali Berisha.
Lexo edhe: Berisha “këmbëkryq”, komenton ministrat: Erdhi ms.Covidi, Ulsi “luftë” me Taulantin
Lexo edhe: Mes tymit dhe flakedanëve, miratohet buxheti i shtetit