Policia në Dibër ka filluar procedimin penal ndaj kandidatit për deputet të PD-së, Xhelal Mziu.
Ky i fundit bëri një deklaratë të fortë duke thënë se çdokush që tenton të blejë vota do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit. Më pas kërkoi ndjesë duke thënë se komenti i tij ishte i panevojshëm, por e tha nga emocionet e forta të momentit.
Mziu do të jetë nën hetim nga policia për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.
Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.
1- Lexo edhe: Xhelal Mziu: Kemi gati grupet tona, na telefononi dhe çdo person i dyshimtë do e pësojë si ai i Elbasanit!
2- Lexo edhe: Pendohet Xhelal Mziu: U kërkoj ndjesë shqiptarëve, e thashë nga emocionet e forta